×
Tuesday, June 23, 2026

Kumbaro: Kampusi i ri i UAMD do të jetë një ekosistem për arsimin, kërkimin dhe inovacionin

June 23, 2026


Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, mori pjesë sot në prezantimin e projekteve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku theksoi se ky projekt synon të krijojë një hapësirë moderne që ndërthur arsimin, kërkimin shkencor, inovacionin, sipërmarrjen dhe jetën studentore.

Gjatë fjalës së saj, Kumbaro u shpreh se projektet universitare kanë një ndikim afatgjatë dhe shtrihen përtej nevojave të momentit, duke formësuar zhvillimin e komuniteteve dhe të brezave të ardhshëm.

“Projektet e kampuseve i paraprijnë horizonteve kohore. Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ festoi pak muaj më parë 20 vite jetë akademike. Dy dekada mund të duken pak në historinë e një universiteti, por janë të mjaftueshme për të ndërtuar identitet dhe për të fituar besimin e mijëra studentëve”, deklaroi ministrja.

Ajo vlerësoi rolin e universitetit si një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend, duke theksuar se sot UAMD përfaqëson një komunitet të gjerë akademik me pesë fakultete, mijëra studentë dhe qindra pedagogë.

Sipas Kumbaros, objektivi është që universiteti të shndërrohet në një institucion modern, ndërkombëtar dhe konkurrues në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.

“Tamam si Durrësi, porta tradicionale e takimit të Shqipërisë me Perëndimin, edhe Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ ka gjetur rrugën e tij të ndërkombëtarizimit”, u shpreh ajo.

Ministrja bëri të ditur se ndërkombëtarizimi zë një vend të rëndësishëm edhe në procesin e rishikimit të ligjit për arsimin e lartë, duke e konsideruar atë pjesë të vizionit të Shqipërisë përtej vitit 2030.

Duke folur për kampusin e ri universitar, Kumbaro theksoi se ai nuk duhet parë vetëm si një investim në infrastrukturë, por si krijimi i një ekosistemi të plotë akademik.

“Kur flasim për kampusin e ri, në thelb po flasim për krijimin e një ekosistemi ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore funksionojnë si pjesë të së njëjtës hapësirë”, tha ajo.

Sipas ministres, universitetet më të mira në botë dallohen jo vetëm për programet akademike, por edhe për mjediset ku prodhohen ide, inovacion dhe lidership.

“Kur projektojmë një kampus, nuk projektojmë vetëm nevojat e sotme. Projektojmë mënyrën se si do të mësohet, do të kërkohet, do të jetohet dhe do të bashkëpunohet pas 20 apo 30 vitesh”, theksoi Kumbaro.

Ajo nënvizoi gjithashtu se Universiteti “Aleksandër Moisiu” ndodhet aktualisht në një fazë të re zhvillimi, e mbështetur nga investime të rëndësishme në sektorin e arsimit.

“Jemi në një moment të rëndësishëm, me buxhetin më të lartë historik për arsimin në vitin 2026, me investime konkrete si Fakulteti i Studimeve Profesionale, me projektimin e kampusit të ri universitar dhe me një strategji të qartë ndërkombëtarizimi”, deklaroi ministrja.

Pesë ekipet finaliste prezantuan sot projektet e tyre për masterplanin e kampusit të ri përpara një jurie ndërkombëtare, ndërsa fituesi i konkursit pritet të shpallet në përfundim të procesit të vlerësimit.

Konkursi konsiderohet një nga projektet më ambicioze për të ardhmen e arsimit të lartë në Shqipëri dhe një hap i rëndësishëm drejt transformimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në një qendër moderne akademike dhe kërkimore.




Comments are closed.