×
Sunday, September 8, 2024

Kosovë, meshkujt më të ekspozuar ndaj korrupsionit se sa gratë

December 12, 2019


Gratë shumë më pak janë të kyçura në korrupsion në krahasim me meshkujt dhe më shumë e paraqesin korrupsionin, u tha sot gjatë tryezës së rrumbullakët të mbajtur në Prishtinë për luftën kundër korrupsionit.

Diskutimi i cili u organizua nga zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, është pjesë e aktiviteteve të Javës Kundër Korrupsionit dhe zhvillohet në kuadër të projektit “Kundër krimit ekonomik në Kosovë” të cilin e financon BE-ja.

Zv/shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, tha se BE mbështet institucionet kosovare në hartimin e Ligjit për luftën kundër korrupsionit, por shtoi se është një temë tjetër se si zbatohen ligjet në praktikë. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e përditshme.

Ndonëse Serri tha se nuk është e vërtetuar shkencërisht, ai u shpreh se ekziston një lidhje mes gjinisë dhe korrupsionit. Për këtë, ai bëri thirrje për të menduar në lidhje me atë sa korrupsioni ndikon tek burrat dhe sa tek gratë, si dhe sa ndikojnë burrat dhe gratë në luftën kundër korrupsionit.

“Kuptohet që korrupsioni ndikon në dy gjinitë, kjo nuk diskutohet, por ka njerëz që duan të dëshmojnë se tek meshkujt korrupsioni ka ndikim më të madh se sa tek gratë dhe ka një diskutim se gratë janë më të ndjeshme nga korrupsioni, se ato i përkasin një popullate më modeste në botë dhe madje edhe më të ekspozuar ndaj korrupsionit”, tha Serri.

Ai shtoi se grave gjithashtu u kërkohen ndonjëherë shërbime seksuale si pjesë e praktikës korruptive dhe se ata kanë më shumë gjasa të paraqesin korrupsionin.

Ambasadorja e Suedisë në Prishtinë, Karin Hernmarck Ahliny, ka vlerësuar se gratë kanë më pak pushtet dhe me këtë edhe më pak mundësi që të korruptohen.

“Nëse ka diçka që prish besimin, është korrupsioni. Në këtë rast korrupsioni është ajo që prish themelin e shoqërisë. Është e njëjtë edhe në kontekstin e Kosovës, por nuk e kuptoni që nepotizmi është i njëjtë me korrupsionin, ai është korrupsioni më i përhapur në shoqëri”, tha ambasadorja suedeze.

Albulena Haxhiu, ish-kryetarja e komisionit parlamentar për legjislacion, ka vlerësuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është përgjegjësi e të dyja gjinive. Ajo nuk pajtohet me mendimin se gratë janë më pak të korruptuara, por sipas saj, fakti që ka më shumë meshkuj në pozitat kyçe e bën që meshkujt të jenë më të korruptuar. Gjithashtu, ajo tha se dy gjinitë dhe e tërë shoqëria duhet të luftojë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që sipas saj, e bën Kosovën të mbetet e pazhvilluar.

“Personalisht jam takuar me më shumë investues të cilët donin të investojnë në Kosovë dhe kërkesa e parë që u është bërë ishte haraçi, pra sa fiton një person kompetent dhe ata nuk e kanë pranuar këtë dhe kanë shkuar në një shtet tjetër”, tha Haxhu.

Shaip Havolli, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka theksuar se pa vullnet politik nuk ka luftë kundër korrupsionit. Ai gjithashtu tha se përqindja e grave të përfshira në korrupsion është shumë më e ulët se ajo e burrave dhe se gratë janë shumë më aktive në luftën kundër korrupsionit.

Sipas tij, korrupsioni në Kosovë ekziston në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ai shpreson se ligji i ri për denoncuesit e korrupsionit do të zbatohet dhe do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftën kundër korrupsionit.

AA

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments