Italia kërkon përjashtimin e Spanjës nga Shengeni pas krizës në Ceuta

31 Jul 2026 14:04
Shpërndaje:

Kriza e emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës ka përshkallëzuar tensionet politike në Europë, pasi drejtuesit më të lartë të qeverisë italiane kërkuan pezullimin e Spanjës nga zona Shengen.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi pas hyrjes masive të mijëra emigrantëve në Ceuta, duke e cilësuar situatën një kërcënim serioz për sigurinë e kufijve europianë.

“Pamjet nga Ceuta janë tronditëse dhe tregojnë edhe një herë se emigracioni i paligjshëm i pakontrolluar përbën një kërcënim real për sigurinë e kufijve të Europës. Jemi të gatshëm të marrim masa, përfshirë edhe masa të jashtëzakonshme, për të mbrojtur kufijtë tanë dhe sigurinë e qytetarëve”, shkroi Meloni në rrjetin social X.

Reklamë Ola

Meloni, së bashku me zëvendëskryeministrin Matteo Salvini dhe ministrin e Jashtëm Antonio Tajani, kërkuan pezullimin e marrëveshjes Shengen për Spanjën ose përjashtimin e saj nga zona e lëvizjes së lirë.

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani fajësoi politikën e emigracionit të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez për situatën në Ceuta, duke e cilësuar atë “thellësisht të gabuar” dhe duke pretenduar se legalizimi i qindra mijëra emigrantëve të parregullt nxit trafikimin e qenieve njerëzore.

Reklamë InterMedika

Deklaratat italiane shkaktuan reagim të ashpër në Madrid. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, thirri ambasadorin italian për sqarime, duke i cilësuar komentet e Tajanit të papërshtatshme.

“Ky mesazh nuk i ka hije ministrit të Jashtëm të një vendi partner dhe mik, prej të cilit presim solidaritet europian dhe jo demagogji partiake”, deklaroi Albares.

Ndërkohë, presidenti i Partisë Popullore Europiane, Manfred Weber, kërkoi zbatim më të shpejtë të Paktit Europian për Migracionin dhe rregullave për kthimin e emigrantëve, duke argumentuar se zhvillimet në Ceuta tregojnë nevojën për masa më të forta.

Edhe Komisioni Europian reagoi, duke bërë të ditur se po mbështet Spanjën në mbrojtjen e kufijve të saj dhe se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet spanjolle dhe marokene për menaxhimin e flukseve migratore dhe kthimin e emigrantëve që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme.

Brukseli theksoi gjithashtu se Maroku mbetet një partner strategjik dhe i besueshëm i Bashkimit Europian në fushën e migracionit, menaxhimit të kufijve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.