Mbi 50 mijë emigrantë hyjnë në Ceuta, Spanja përforcon kufirin

31 Jul 2026 13:23
Shpërndaje:

Rreth 50 mijë emigrantë kanë hyrë në enklavën spanjolle të Ceutës nga Maroku gjatë 24 orëve të fundit, përmes rrugëve tokësore dhe detare, sipas autoriteteve spanjolle.

Pamjet e publikuara tregojnë mijëra persona duke notuar drejt territorit spanjoll, ndërsa kalimet kanë vijuar edhe gjatë natës. Sipas autoriteteve, të paktën 18 persona kanë humbur jetën ditët e fundit gjatë përpjekjeve për të arritur në Ceuta.

Enklava spanjolle, me rreth 83 600 banorë, po përballet me një fluks emigrantësh që përbën më shumë se gjysmën e popullsisë së saj. Rreth 7 mijë nga të mbërriturit janë të mitur, ndërsa shumica janë burra të rinj, por mes tyre ka edhe gra, fëmijë dhe foshnja.

Reklamë Ola

Përballë përshkallëzimit të situatës, Spanja ka dislokuar forcat e armatosura për të përforcuar sigurinë në Ceuta dhe në enklavën tjetër spanjolle, Melilla, ku u raportuan edhe 300–400 kalime të tjera gjatë natës.

Kriza vjen pak ditë pasi Gjykata e Lartë e Spanjës vendosi se emigrantët e ndaluar në det gjatë përpjekjes për të hyrë në Ceuta ose Melilla nuk mund të kthehen menjëherë në Marok.

Reklamë InterMedika

Ministria e Brendshme spanjolle bëri të ditur se po bashkëpunon me autoritetet marokene për kthimin sa më të shpejtë të emigrantëve që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë, kryeministri Pedro Sánchez pritet të vizitojë Ceutën, ndërsa gjatë natës u regjistruan përplasje mes emigrantëve dhe forcave të policisë përgjatë kufirit.

Shkaqet e këtij fluksi të pazakontë mbeten ende të paqarta, por situata ka rihapur tensionet diplomatike mes Spanjës dhe Marokut. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cilësoi ngjarjen një kërcënim për sigurinë e Europës, duke sugjeruar se Italia mund të shqyrtojë pezullimin e marrëveshjes Shengen me Spanjën.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, i quajti deklaratat e Melonit të papërshtatshme dhe thirri ambasadorin italian në Madrid për sqarime.