NATO po shqyrton zgjerimin e kapaciteteve të saj bërthamore në Evropë, mes shqetësimeve në rritje për kërcënimet nga Rusia. Një nga opsionet që po diskutohet është dislokimi i armëve të tjera bërthamore amerikane në territorin europian.
Sipas ekspertëve, Shtetet e Bashkuara mund të kenë transferuar tashmë bomba bërthamore të tipit B61-12 në bazën ajrore britanike Lakenheath. Në rast të një përkeqësimi të mëtejshëm të situatës së sigurisë, vende si Polonia, Finlanda dhe Lituania mund të konsiderohen për stacionimin e armëve të tjera bërthamore amerikane.
Bëhet fjalë për armë bërthamore jo-strategjike, të projektuara për goditjen e objektivave ushtarake si baza ajrore, qendra komanduese, porte dhe infrastrukturë tjetër ushtarake. Këto armë kanë fuqi më të ulët shpërthyese se raketat strategjike dhe mund të lëshohen nga avionë luftarakë ose raketa me rreze të shkurtër.
Pas reduktimeve të mëdha të arsenalit bërthamor në fund të Luftës së Ftohtë, ekspertët vlerësojnë se rreth 100 bomba B61-12 ndodhen aktualisht në baza ajrore në Gjermani, Belgjikë, Itali, Holandë dhe Turqi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nuk e përjashtoi mundësinë e dislokimit të më shumë armëve bërthamore amerikane në Evropë. Ai tha se aleanca po vlerëson vazhdimisht kapacitetet që i nevojiten për të garantuar një strategji efektive të parandalimit bërthamor.
“Duhet të jemi të sigurt se askush nuk mund të na sulmojë me armë bërthamore, pa qenë ne në gjendje të përgjigjemi”, deklaroi Rutte.
Në mbledhjen e fundit të Grupit të Planifikimit Bërthamor, aleatët ranë dakord të forcojnë misionin bërthamor të NATO-s përmes modernizimit të kapaciteteve dhe përmirësimit të planifikimit strategjik.
Eksperti amerikan Robert Peters vlerësoi se SHBA-ja mund të vendosë 100 deri në 150 armë të tjera bërthamore jo-strategjike në Evropë gjatë dy viteve të ardhshme, përfshirë edhe në Poloni dhe Finlandë. Sipas tij, Rusia gëzon një avantazh të konsiderueshëm në këtë kategori armësh, me një raport që mund të jetë mbi 10 me 1 në favor të Moskës.
Nga ana tjetër, eksperti i NATO-s për politikat bërthamore, Jim Stokes, tha se aleanca nuk ka nevojë të barazojë numrin e armëve ruse, por të tregojë se SHBA mbetet plotësisht e angazhuar për mbrojtjen e aleatëve të saj. Ai theksoi se vendet anëtare mund të kontribuojnë edhe përmes avionëve të certifikuar për misione bërthamore, furnizimit me karburant në ajër, zbulimit, mbështetjes ajrore dhe sistemeve të komandës.
Ndërkohë, përpjekjet e Francës për të ndërtuar një parandalim bërthamor europian konsiderohen nga NATO si një plotësim i kapaciteteve amerikane dhe jo si zëvendësim i tyre. Rutte ritheksoi se mburoja bërthamore amerikane mbetet garancia kryesore për sigurinë e aleatëve, ndërsa ekspertët vlerësojnë se Franca dhe Britania e Madhe nuk mund të zëvendësojnë kapacitetet bërthamore të SHBA-së për nga numri i armëve dhe platformat ushtarake.
NATO dhe Shtetet e Bashkuara konfirmojnë se armët bërthamore amerikane janë të dislokuara në Evropë, por numri i saktë dhe vendndodhja e tyre mbeten të klasifikuara.


