Pas takimit në Pogradec me ministrat e qeverisë, kryeministri Edi Rama ka ndarë një videomesazh në një lidhje live në Facebook, ku ka folur për çështjet e diskutuara gjatë mbledhjes dhe modelin e ri të marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarëve.
Rama tha se në takim është diskutuar për qasjen e re të Partisë Socialiste ndaj reformës territoriale, si dhe për një sërë programesh që prekin sektorë të ndryshëm.
Kryeministri u ndal veçanërisht te koncepti “Besa”, të cilin e cilësoi tashmë të konsoliduar në themel të raportit shtet-qytetar.
Sipas tij, “Besa” do të përdoret edhe si akronim për katër elementë: Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim, mbi të cilët synohet të ndërtohet qasja e re e administratës ndaj qytetarëve.
Rama foli gjithashtu për platformën “Pasqyra Albania”, e cila, së bashku me bazën teknologjike të e-Albania, pritet të shërbejë për forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe institucioneve.
Sipas kryeministrit, kërkesat dhe problematikat e qytetarëve do të mund të ndiqen në kohë reale, duke përcaktuar njëkohësisht përgjegjësitë dhe afatet për trajtimin e tyre.
“Është një dritare ku secili ka autonominë e vet, për të pasur kontaktin direkt të qytetarit me atë pushtet”, tha Rama.
Ai theksoi se platforma nuk do të shërbejë vetëm për përcjelljen e shqetësimeve të qytetarëve, por edhe për informimin e tyre mbi punën e institucioneve.
“Nuk flas për një portal propagandistik, një portal se çfarë do të bëjmë ne në të ardhmen, por flasim për një pasqyrë ku shteti tregon se çfarë po bën”, deklaroi Rama.


