Izraeli miraton forcën ndërkombëtare në Gaza

27 Jul 2026 09:34
Shpërndaje:

Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar kuadrin ligjor që lejon hyrjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Rripin e Gazës, një hap që vjen në prag të takimit mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump, i planifikuar të zhvillohet nesër në Uashington.

Sipas mediave izraelite, ISF është pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë e krijuar nga administrata Trump me synimin për të vendosur trupa ndërkombëtare paqeruajtëse në Gaza, për të garantuar rendin dhe sigurinë pas konfliktit.

Gazeta Haaretz raportoi se kabineti izraelit ka miratuar vendosjen e një force fillestare paqeruajtëse në një zonë të kufizuar të Rafahut, si pjesë e planit me 20 pika të presidentit Trump për të ardhmen e Gazës.

Reklamë Ola

I dërguari i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të territorit, mbështetjes së procesit të çmilitarizimit dhe transferimit gradual të administrimit te një autoritet palestinez tranzitor.

Sipas Jerusalem Post dhe Ynet, faza e parë e planit parashikon krijimin e një projekti pilot në Rafah, ku do të ndërtohen banesa të përkohshme për palestinezët e zhvendosur nga lufta.

Reklamë InterMedika

Raportimet bëjnë të ditur se çdo person që do të kërkojë të vendoset në këtë zonë do t’i nënshtrohet kontrolleve të rrepta të sigurisë për të verifikuar se nuk ka lidhje me grupin islamist palestinez Hamas.

Bordi i Paqes u krijua nga presidenti Trump pas marrëveshjes së armëpushimit të arritur në tetor, si pjesë e një plani për administrimin e Gazës pas dy vitesh lufte mes Izraelit dhe Hamasit.

Ky mekanizëm ka për detyrë të mbikëqyrë procesin e rindërtimit, garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për administrimin e ardhshëm të Rripit të Gazës.