Konferenca “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, e organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, mblodhi këtë të hënë përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat e dezinformimit dhe kërcënimeve hibride.
Në hapje të aktivitetit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se mbrojtja e demokracisë nuk kufizohet më vetëm në hapësirën fizike, por zhvillohet gjithnjë e më shumë në atë digjitale.
Sipas tij, manipulimi dhe ndërhyrja e huaj janë shndërruar në instrumente të sofistikuara për të ndikuar perceptimin e qytetarëve, për të thelluar ndarjet shoqërore dhe për të minuar besimin te institucionet demokratike.
“Manipulimi dhe Ndërhyrja e Informacionit të Huaj përdoren si instrumente të presionit hibrid, të projektuara për të gërryer besimin, për të shfrytëzuar përçarjet sociale dhe për të minuar demokracinë. Në një botë të dominuar nga rrjetet sociale dhe inteligjenca artificiale, asnjë vend nuk është imun ndaj këtyre kërcënimeve”, u shpreh Hoxha.
Në konferencë mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se sfidat e sigurisë nuk lidhen më vetëm me fuqinë ushtarake, por edhe me mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe besimit të qytetarëve te institucionet.
Ai tha se fuqia e një shteti matet gjithnjë e më shumë me aftësinë për të ndikuar perceptimin publik dhe për të ruajtur besimin në institucionet demokratike.
“Manipulimi dhe ndërhyrja e jashtme nuk vijnë më me uniformë. Ato shfaqen si trende virale, video deepfake apo lidhje të shpërndara në rrjetet sociale. Sot manipulimi udhëton me shpejtësinë e një algoritmi, i fuqizuar nga inteligjenca artificiale. Nuk duhet më ushtri për të destabilizuar një vend”, tha Rama.
Duke folur për situatën në Shqipëri, kryeministri iu referua edhe protestave në vend, duke përmendur atë që e quajti “revolucioni i flamingove”, të cilin e cilësoi si një shembull të përdorimit të rrjeteve të trollëve dhe profileve false për të ndikuar opinionin publik.
Rama theksoi se, ndërsa Shqipëria po i afrohet fazës përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bëhet edhe më e ekspozuar ndaj fushatave të dezinformimit dhe kërcënimeve hibride.
“Sa më afër shkon një vend drejt Bashkimit Evropian, aq më shumë aktorët e huaj përpiqen të depërtojnë përmes fushatave të dezinformimit. Shqipëria ka përjetuar sulme hibride dhe duhet të mësojë shpejt si t’u përgjigjet këtyre sfidave”, deklaroi kryeministri.
Në përfundim, Rama nënvizoi se forcimi i rezistencës ndaj manipulimit të informacionit nuk është thjesht një kërkesë e procesit të integrimit europian, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e demokracisë dhe institucioneve të vendit.

