I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump në Ballkan për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ka deklaruar se vendimi për krijimin e një shteti sovran Bektashi në Tiranë duhet t’i takojë popullit shqiptar dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet ta respektojë atë.
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Zampolli zhvilloi një takim në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ndërsa në axhendën e tij përfshihen edhe takime me përfaqësues të politikës shqiptare dhe anëtarë të qeverisë.
I pyetur për projektin e Shtetit Bektashi, ai tha se ka dëgjuar qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Baba Mondi, por theksoi se fjala përfundimtare duhet t’u takojë shqiptarëve.
“E kam dëgjuar Kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin. Dhe mendoj se komuniteti ndërkombëtar do ta respektojë vendimin e popullit të Shqipërisë”, deklaroi Zampolli.
Ai shtoi se, nëse populli shqiptar e mbështet një nismë të tillë, atëherë e konsideron atë një zhvillim pozitiv, por nënvizoi se për këtë çështje duhet të shprehen qytetarët.
“Po mësoj nga ju dhe mendoj se populli i Shqipërisë e dëshiron këtë. Prandaj, nëse populli juaj e dëshiron, mendoj se kjo është një gjë e mirë. Kam dëgjuar disa njerëz të flasin, por ndoshta jo popullin. Prandaj duhet të flasë populli”, tha ai.
Gjatë vizitës në Kryegjyshatën Bektashiane, Zampolli foli edhe për bashkëjetesën ndërfetare, duke deklaruar se Presidenti Trump, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ai vetë besojnë në rëndësinë e saj dhe në respektimin e të gjitha besimeve.
Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me partnerët amerikanë në fushën e mjekësisë, duke e lidhur këtë çështje edhe me përvojën e tij personale në përballjen me kancerin.
“Unë kam katër vjet që përballem me kancerin, ndaj e kuptoj se sa e vështirë është të kesh kancer. Ne duhet t’i shërojmë njerëzit tanë dhe, padyshim, çfarë mund të jetë më mirë sesa të kemi një partneritet me amerikanët”, u shpreh Zampolli.
I pyetur për takimet me ministra dhe përfaqësues të grupeve parlamentare shqiptare, i dërguari amerikan tha se mesazhi kryesor është se Shqipëria mbetet një mike dhe aleate e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara.
“Mesazhi do të jetë se Shqipëria është një mike. Ne sapo kemi emëruar një ambasador, por ende nuk e kemi në detyrë. Dhe është një ambasador i shkëlqyer, i cili do t’i shërbejë administratës Trump dhe parimit ‘America First'”, deklaroi ai.
Zampolli foli edhe për marrëdhëniet e tij me Kryeministrin Edi Rama, duke thënë se është takuar disa herë me të, përfshirë një takim të fundit në Mynih.
“Ju jeni një aleat, jeni shumë të rëndësishëm. Ne kemi nevojë për miq në rajon dhe na pëlqejnë miqësitë afatgjata”, tha ai, duke përmendur gjithashtu komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Zampollit, vizita ka karakter kryesisht informal dhe synon të tregojë respekt për Shqipërinë, ndërsa marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit, sipas tij, janë të shkëlqyera dhe kanë hapësirë për t’u forcuar më tej.
Në lidhje me NATO-n, ai tha se Aleanca mbetet një organizatë e nevojshme, megjithëse kjo çështje nuk është pjesë e drejtpërdrejtë e agjendës së tij. Zampolli theksoi se SHBA mirëpret rolin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të Aleancës.


