Balla: “Prania besnike” nuk është kalendar elektoral, por detyrim ndaj qytetarëve

08 Sep 2026 18:15
Shpërndaje:

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e nisi fjalën në hapje të sesionit të ri parlamentar me “Besën” dhe “Praninë besnike”.

“Besa nuk është thjesht një fjalë, por është besim, është empati, është shërbim, është angazhim”, deklaroi Balla, duke thënë se qytetari nuk pret vetëm të dëgjojë bilancin e punëve të bëra, por kërkon përgjigje për çështjet e tij.

“Qytetari kërkon të dëgjohet.
Kërkon të dijë kush nuk i përgjigjet për hallin e tij, ku ndodhet çështja e tij, pse është vonuar dhe kur do të marrë përgjigjen e shumëpritur”, u shpreh ai.

Reklamë Ola

Balla theksoi se “Prania besnike” nuk duhet të kthehet në aktivitet elektoral apo takim partie. “Prania besnike për ne është vetëm dëgjim. Është një sistem që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim, për t’u përgjigjur”, tha Balla.

Sipas Ballës, deputetët socialistë do të jenë çdo të premte, në orën 17:00, në territoret e tyre për të dëgjuar qytetarët. Ai sqaroi se roli i deputetit nuk është ndërmjetësimi i favoreve, por përcjellja e problematikave reale te institucionet përgjegjëse.

Reklamë InterMedika

“Partia nuk bën shtet dhe deputeti nuk ndërmjetëson favore”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, duke shtuar se politika duhet të jetë “një antenë për shtetin që dëgjon, jo kanal paralel i shtetit që nuk funksionon”.

Në pjesën tjetër të fjalës, Balla e vendosi procesin e integrimit europian në qendër të punës së Kuvendit. Ai tha se objektivi i mazhorancës është mbyllja e negociatave teknike deri në fund të vitit 2027, ratifikimi i anëtarësimit nga parlamentet e 27 vendeve anëtare deri në vitin 2028 dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE brenda vitit 2030.

“Ta ngremë flamurin tonë kombëtar kuq e zi në qendër të Brukselit brenda vitit 2030”, u shpreh Balla, duke ftuar opozitën të kontribuojë në këtë objektiv që e cilësoi kombëtar.

Ai tha se integrimi nuk lidhet vetëm me miratimin e kapitujve, ligjeve dhe akteve, por me funksionimin e shtetit për qytetarin: shtetin e së drejtës, administratën që përgjigjet, transparencën, meritokracinë, konkurrencën e ndershme, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Balla renditi si prioritete edhe avancimin e reformës zgjedhore, përmbylljen e reformës territoriale me fokus shërbimin ndaj qytetarëve, shqyrtimin e projektligjeve të Agjendës Europiane, si edhe miratimin e ligjit për organizimin e Kuvendit brenda këtij sesioni.

“Ne mund dhe duhet të kemi qëndrime të ndryshme. Mund të debatojmë fort për mënyrën se si bëhen reformat, për ligjet, politikat. Por ama, për destinacionin europian të Shqipërisë, ne e kemi përgjegjësinë dhe linjën të përbashkët”, deklaroi Balla.

Fjala e plotë:

I nderuar kryetar i Kuvendit, kolegë deputetë, të dashur kryetarë shqiptarë dhe kolegë deputetë.
Të dashur qytetarë shqiptarë, zonja dhe zotërinj.
Në fillim të sesionit, tradita e ka bërë që secili prej kryetarëve të grupeve parlamentare, në emër të grupeve, paraqet objektivat e veta; po më vjen mirë dhe dua t’ju falënderoj që i paskeni ndjekur me vëmendje propozimet tona, përfshirë këtu propozimin e kryetarit të Partisë tonë, kryeministrit Rama, me angazhimin që do ta votoni, me shpresën që, përveç këtij ligji, të votoni edhe të gjitha ligjet e përafrimit legjislacionit shqiptar me atë komunitar.
Është fillim i mbarë, me angazhimin e opozitës për të votuar projektligjet që propozon mazhoranca.
Tani së pari, më lejoni t’ju them disa fjalë për objektivat tona.
Ne si grup parlamentar hyjmë në këtë sesion me një mënyrë të re të organizimit të marrëdhënies sonë me njerëzit, përmes Besës dhe Pranisë besnike që ju referua kryetari juaj i grupit. Dhe që përfitoj nga rasti t’ua shpjegoj edhe ju edhe më mirë ndërkohë që dita ditës të dyja ato po zënë vend, Besa nuk është thjesht një fjalë, por është besim, është empati, është shërbim, është angazhim.
Katër parime që na duhet tw udheheqin çdo kontakt tonin me qytetarin.
Në këtë moment kthese, të këtij mandati të katërt, ku qytetari nuk kërkon prej nesh vetëm t’i tregojmë çfarë kemi bërë, qytetari kërkon të dëgjohet. Kërkon të dijë kush nuk i përgjigjet për hallin e tij, ku ndodhet çështja e tij, pse është vonuar dhe kur do të marrë përgjigjen e shumëpritur.
Pikërisht për këtë arsye, zonja dhe zotërinj deputetë, Prania Besnike kurrsesi nuk është për ne një kalendar elektoral. Nuk është as ndonjë mbledhje partie. Dhe nuk do të jetë asnjë takim ku ne flasim e njerëzit vetëm na dëgjojnë. E kundërta.
Prania Besnike për ne është vetëm dëgjim. Është një sistem që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim, për t’u përgjigjur.
Çdo të premte, ora 17:00, në të gjithë territorin e Shqipërisë, qytetarët kanë deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste aty, për t’u dëgjuar.
Dhe ky proces nuk shkon vetëm në këtë sesion, ky proces nuk mbyllet me këtë legjislaturë në 2029, por do të jetë një funksion jetik i vazhdueshëm i Partisë Socialiste. Jo për të dëgjuar sa punë kemi bërë, jo për të marrë premtime, jo për të kërkuar favore, por për të folur me njerëzit dhe për t’u dëgjuar.
Dhe këtu duhet të jemi shumë të qartë: për rolin tonë si deputetë, Partia nuk bën shtet, dhe deputeti nuk ndërmjetëson favore. E prandaj dhe ai propozim është i shumëpritur, pikërisht për t’i ndarë dhe deputeti është me kushtetutë, zoti koleg, me ligj, njeriu i duhur për të sjellë çdo sinjal real të territorit te institucioni që duhet të përgjigjet.
Sepse suksesi i Pranisë besnike do të jetë kur qytetarët kenë gjithmonë e më pak nevojë për Praninë besnike. Sepse sistemi do të fillojë përgjigjet vetë, dhe politika do të jetë një antenë për shtetin që dëgjon, jo kanal paralel i shtetit që nuk funksionon.
Zonja dhe zotërinj deputetë të dashur, qytetarë, me këtë frymë pra, hyjmë ne grupi ynë parlamentar në këtë sesion të ri të Kuvendit të Shqipërisë. Që është një sesion me një peshë të madhe përgjegjësie për ato detyra që ka ky institucion drejtues në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Shqipëria ka hyrë tani më në fazën më vendimtare të negociatave. Objektivi ynë politik është i qartë: përmbyllja e negociatave teknike deri në fund të vitit 2027, dhe Shqipëria anëtarëve e Bashkimit Europian brenda kësaj dekade, pra, brenda vitit 2030.
Dhe ky nuk është një objektiv i qeverisë, ne ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij objektivi, është një objektiv kombëtar, dhe për këtë arsye duhet të jetë prioriteti ynë absolut pra i Kuvendit të Shqipërisë.
Puna jonë në këtë sesion duhet të eci me ritëm tjetër, që kërkon procesin e negociatave. Na ka kërkuar sot grupi parlamentar i Partisë Demokratike që të marrim nga qeveria listën e të gjitha ligjeve që duhet të miratojmë në këtë sesion. Në fund të kësaj seance, përmes ministres së Marrëdhënieve të Parlamentit, do t’i drejtohet zyrtarisht grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Integrimi Europian nuk ka bëj thjesht e vetëm me numrin e kapitujve, ligjeve apo akteve që miratojmë, por lidhet pandashmërisht me atë për të cilën ju referova në hyrje të kësaj fjale, për mënyrën si funksionon shteti, për qytetarin.
E këtu pastaj i kemi të gjitha. Është shteti i së drejtës. Është administrata që përgjigjet. Është transparenca. Është meritokracia. Është konkurrenca e ndershme. Është lufta kundër korrupsionit. Është drejtësia që funksionon. Është respektimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Prandaj, Besa, Prania besnike, Pasqyra, Shkalla e meritës nuk janë procese të shkëputura nga rruga jonë europiane, por janë pikërisht ato që kontribuojnë në ndërtimin e një shteti që funksionon me standarde që na kërkon anëtarësimi në Bashkimin Europian.
Kuvendi ka një rol qendror në këtë proces. Jo vetëm për të miratuar legjislacionin. Komisioni i integrimit europian për fushën që mbulon, për këtë sesion njësoj. E përafruar makinë. Por për ta ushtruar kontrollin parlamentar.
Çdo komision parlamentar duhet të jetë komision i integrimit europian për fushën që mbulon. Ku për këtë sesion njësoj prioritetet shpresin angazhimin tonë të përbashkët.
Seanca e parë e këtij sesioni shërben pikërisht për të shprehur objektivat. Dhe unë mendoj që këto janë objektivat tona të përbashkëta.
Edhe pse në konferencën e kryetarëve, si zakonisht, i njëjti avaz, nuk u kuptuam qartë, mendoj që diçka ishte e qartë edhe në fjalën e përfaqësuesve tuaj. Ju na keni ndjekur me vëmendje edhe mbledhjen tonë të fundit të ditës së enjte. Dhe prandaj, po jua ripërmbledh në tre pika objektivat tona. Për të cilat ftesa gjithmonë e hapur që ju të kontribuoni.
Të mbyllim negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm. Të mundësojmë ratifikimin nga 27 parlamenteve të vendeve anëtare brenda vitit 2028. Dhe ta ngremë flamurin tonë kombëtar kuq e zi në qendër të Brukselit brenda vitit 2030.
Siç e shikoni, objektivat tona janë të qarta dhe fakti që në agjendën tonë europiane tanimë e numërojmë me ditë, besoj që na bën të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi.
Tre gjëra tjera që do të doja t’i thoja dhe t’i nënvizoja.
Duhet të avancojmë me reformën zgjedhore, duke konsoliduar sistemin tonë si një sistem zgjedhor me besueshmëri europiane. Pararendja e aspiratës, për anëtarësim, ku natyrshëm kërkohet përpjekja e të gjitha forcave politike dhe faktorëve institucional, roli i opozitës është i pazëvendësueshëm.
Përmbyllja e reformës territoriale, të cilën mendoj që bëjmë një hap të rëndësishëm, drejt një konsolidimi të një reforme që e nisëm në 2014-ën, po e vazhdojmë në 2026-ën dhe është një reformë që duhet të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Ku në themel të saj duhet të jetë shërbim më i mirë për qytetarin.
Jetësimi i transformimit europian, që trupëzojnë projektligjet e Agjendës Europiane, që Kuvendi shqyrton dhe miraton përmes energjizimit të rolit të deputetit dhe të komisioneve, duke pasur një vëmendje edhe më të madhe ndaj grupeve të interesit që jetësojnë këtë transformim.
Unë e kam mbështetur e mbështes nevojën që ka Kuvendi për një ligj për organizimin e vet. Ku në qendër të ligjit të jetë një rol i rëndësishëm i deputetit dhe një mbështetje nga ana e gjithë ligjit për rolin në terren të deputetit.
Dhe së fundmi, në këtë aspekt, shpresoj shumë, sikurse tha edhe kryetari i Kuvendit në fjalën e vet, ne ta miratojmë ligjin për organizimin e Kuvendit brenda këtij sesioni.
Mazhoranca dhe opozita duhet të dinë ta ndajnë mirë debatin mes debatit të ditës dhe interesit kombëtar. Ne mund dhe duhet të kemi qëndrime të ndryshme. Mund të debatojmë fort për mënyrën se si bëhen reformat, për ligjet, politikat. Por ama, për destinacionin europian të Shqipërisë, ne e kemi përgjegjësinë dhe linjën të përbashkët.
Ne si shumicë parlamentare jemi të gatshëm për bashkëpunim. Sepse koha që kemi përpara na kërkon një punë intensive. Çdo muaj, çdo ditë e këtij sesioni duhet dhe do të na afrojë konkretisht me objektivin tonë.
Shqipëria, në Bashkimin Europian, brenda vitit 2030. Kjo është përgjegjësia jonë ndaj qytetarëve që na kanë zgjedhur, por është njëkohësisht përgjegjësia jonë ndaj brezit që duhet të gjejë Shqipërinë përfundimisht të ulur në tryezën e familjes europiane.
Punë të mbarë Kuvendit në këtë sesion të tretë të legjislaturës.
Faleminderit.