Kryeministri Edi Rama ka kërkuar forcimin e pranisë së strukturave të Partisë Socialiste në territor dhe një angazhim më të drejtpërdrejtë të drejtuesve politikë dhe qeveritarë me qytetarët.
Kërkesat janë përcjellë gjatë një takimi me drejtuesit politikë të PS-së dhe ministrat, i cili ka zgjatur rreth dy orë. Sipas gazetarit Muhamed Veliu, Rama ka kërkuar ngritjen e një skeme të personalizuar për territorin, ku drejtues politikë, deputetë, ministra dhe zëvendësministra të kenë zona dhe përgjegjësi të dedikuara.
Një tjetër kërkesë e kryeministrit ka qenë që kontaktet dhe takimet në territor të zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme, me synimin që problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve të dëgjohen drejtpërdrejt dhe të ndiqen nga strukturat përgjegjëse.
“Pasqyrë Albania nuk duhet të jetë një njësi, platformë etj., duhet të jetë LIGJ. Besa dhe prania besnike prezente në territor, përmes një skeme të personalizuar: drejtues politik, deputet, ministër, zv.ministër të dedikuar”, është një prej kërkesave të përcjella nga Rama gjatë takimit.
Në qendër të diskutimeve kanë qenë gjithashtu dokumenti “Besa” dhe koncepti i “Pranisë besnike”, të cilat lidhen me mënyrën se si drejtuesit e PS-së dhe përfaqësuesit e qeverisë duhet të organizojnë punën dhe kontaktin e tyre në terren.
Rama ka kërkuar që kjo prani të mos mbetet vetëm në nivel formal, por të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me matje periodike të performancës. Sipas kërkesave të paraqitura në takim, vlerësimi mund të zhvillohet një herë në javë ose një herë në muaj, në varësi të përgjegjësive dhe objektivave të përcaktuara.
Synimi është që çdo zonë të ketë përfaqësues të identifikueshëm politikë dhe qeveritarë, të cilët të mbajnë përgjegjësi për kontaktin me qytetarët, evidentimin e problemeve dhe ndjekjen e tyre në mënyrë të vazhdueshme.


