Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar diskutimet me drejtuesit politikë dhe strukturat e partisë për përgatitjen e sezonit të ri politik, duke vendosur në qendër forcimin e pranisë në terren, përmirësimin e shërbimeve publike dhe avancimin e nismave të reja qeverisëse.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua kalendarizimi i programit “Prania Besnike”, që synon një angazhim të vazhdueshëm të përfaqësuesve socialistë në çdo territor të vendit.
Po ashtu, sipas Kryeministrit, u shqyrtuan mekanizma të rinj bashkëpunimi mes qeverisë dhe deputetëve për të garantuar një ndërveprim më efikas në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike, si në nivel qendror ashtu edhe vendor.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe hartimit të ndryshimeve ligjore për platformën “PasqyrAlbania”, ndërsa u vlerësua progresi i deritanishëm në ndërtimin e nismës së integruar “Shqipëria Sociale”.
Rama njoftoi se për këtë nismë do të organizohet një Konferencë Kombëtare e posaçme gjatë muajit nëntor, ku pritet të prezantohen objektivat dhe hapat konkretë të zbatimit.
Takimi vjen në kuadër të përgatitjeve të Partisë Socialiste dhe qeverisë për sezonin e ri politik, me fokus forcimin e lidhjes me qytetarët dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike në të gjithë vendin.


