×
Friday, June 19, 2026

Hita: Policia ka hyrë në epokën e monitorimit inteligjent, fajtorin e përcakton teknologjia

June 19, 2026


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, duke theksuar se siguria në rrugë është një përgjegjësi e përbashkët dhe një garanci për jetën e çdo qytetari.

Gjatë aktivitetit sensibilizues për sigurinë rrugore, Hita deklaroi se Policia e Shtetit ka hyrë në një fazë të re të monitorimit inteligjent të trafikut, ku shkeljet evidentohen përmes teknologjisë moderne dhe jo mbi bazën e intuitës.

“Koha e ndalimeve pa shkak apo e ‘gjuetisë’ së gjobave ka mbaruar. Sot, Policia e Shtetit ka hyrë në epokën e monitorimit inteligjent. Strategjia jonë e re bazohet në parimin: fajtorin e përcakton teknologjia, jo intuita”, u shpreh Hita.

Sipas tij, përdorimi i pajisjeve moderne si sistemet “Poliscan”, dronët dhe radarët automatikë mundëson identifikimin e shkeljeve në kohë reale, pa penguar qarkullimin dhe pa krijuar shqetësime për drejtuesit që respektojnë rregullat.

Kreu i Policisë së Shtetit apeloi për më shumë kujdes në rrugë, duke veçuar shpejtësinë, parakalimet e gabuara, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtimin nën efektin e alkoolit apo substancave të tjera si ndër shkaqet kryesore të aksidenteve.

“Shpejtësia vret. Mos nxitoni për të mbërritur disa minuta më parë, duke rrezikuar të mos mbërrini kurrë. Alkooli dhe substancat e tjera nuk kanë vend në timon. Kush drejton automjetin nën efektin e tyre nuk po drejton një makinë, por një armë që rrezikon të marrë jetë”, theksoi ai.

Hita nënvizoi gjithashtu rëndësinë e edukimit rrugor, duke vlerësuar bashkëpunimin me institucionet arsimore për formimin e kulturës së sigurisë që në moshë të hershme.

“Kur një fëmijë i thotë prindit ‘vendos rripin’ ose ‘mos fol në telefon’, ai mesazh vlen më shumë se dhjetëra gjoba të Policisë”, tha ai.

Duke iu referuar sezonit turistik, Hita bëri të ditur se Policia e Shtetit ka hartuar plane të posaçme masash për menaxhimin e fluksit të shtuar të automjeteve, me fokus në akset turistike dhe bregdetare, për të garantuar siguri më të lartë rrugore dhe shërbim më efikas për qytetarët dhe turistët.

Në përfundim, ai theksoi se siguria rrugore nuk mund të garantohet vetëm nga policia apo teknologjia, por kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve të shoqërisë, nga drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët, te autoshkollat, institucionet arsimore dhe familjet.




Comments are closed.