Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se arritja e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ri është kusht për konstituimin e plotë të institucioneve, duke paralajmëruar se çdo veprim pa këtë dakordësi mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, Kurti tha se duhet t’u jepet kohë forcave politike për të vazhduar dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.
Sipas tij, konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake do të ishte vetëm një hap drejt shpërndarjes së tij. “Duam t’i japim shans zhvillimit të diskutimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje politike për presidentin apo presidenten e re. Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa këtë marrëveshje do të ishte praktikisht parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nisjen e dialogut me partitë opozitare menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, por sipas tij, procesi u ndërpre për shkak të zhvillimeve të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Diskutimi u suspendua dhe takimin e radhës e patëm vetëm pardje, çka nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur një dakordim politik”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë theksoi se vetëm pas një marrëveshjeje për presidentin mund të procedohet me konstituimin e institucioneve të tjera, duke argumentuar se kjo do të shmangte një krizë të re politike.
Ai kujtoi edhe përvojën e legjislaturës së kaluar, kur sipas tij mungesa e një zgjidhjeje për postin e presidentit çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Herën e kaluar e pamë se pa e zgjidhur çështjen e presidentit, kot e konstituuam Kuvendin dhe formuam qeverinë, sepse vendi u detyrua të shkonte sërish në zgjedhje. Tri palë zgjedhje për 16 muaj”, përfundoi Kurti.


