Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, mund të marrë kompetenca më të gjera për koordinimin e politikave të jashtme të Komisionit Europian, përfshirë çështjet e migracionit dhe ndihmës për zhvillim, sipas një propozimi të hartuar nga Franca dhe Gjermania.
Parisi dhe Berlini po udhëheqin përpjekjet për reformimin e Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm, EEAS, në një kohë kur ndryshimet gjeopolitike, zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe kufizimet buxhetore po nxisin një rishikim të mënyrës se si funksionon diplomacia e BE-së.
Sipas POLITICO, propozimi franko-gjerman synon të forcojë rolin e Kallas, duke marrë njëkohësisht parasysh faktin se një pjesë e konsiderueshme e instrumenteve që ndikojnë në politikën e jashtme kontrollohen nga Komisioni Europian.
EEAS është përfshirë prej kohësh në përplasje institucionale me Komisionin e drejtuar nga Ursula von der Leyen. Në një dokument diskutimi të Francës më herët gjatë këtij viti ishte hedhur madje ideja që shërbimi diplomatik të kalonte plotësisht nën autoritetin e Komisionit.
Plani i ri, megjithatë, parashikon një riorganizim tjetër. Kallas do të fitonte një rol më të fuqishëm në përcaktimin dhe koordinimin e drejtimit strategjik të politikës së jashtme, ndërsa disa funksione dhe pjesë e rreth 5 mijë punonjësve të EEAS mund të transferoheshin te Komisioni Europian.
Sipas tre diplomatëve të cituar nga POLITICO, një riorganizim i tillë lidhet edhe me presionin për të reduktuar shpenzimet në kuadër të buxhetit afatgjatë të Bashkimit Europian.
Propozimi i Francës dhe Gjermanisë pritet të jetë një prej çështjeve në fokus të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së të martën në Wicklow të Irlandës.
Megjithatë, brenda Unionit nuk ka konsensus për një reformë të gjerë institucionale. Një diplomat europian e cilësoi një ndryshim të madh në këtë moment si jorealist, duke argumentuar se reforma të tilla vështirë se mund të realizohen përpara përfundimit të mandatit të dytë të Ursula von der Leyen në vitin 2029.
Një zyrtar i BE-së theksoi gjithashtu se ndryshimi i strukturës administrative nuk do të ishte i mjaftueshëm për të zgjidhur problemet e politikës së jashtme europiane.
“Ta pranojmë, politika e jashtme e BE-së funksionon vetëm nëse shtetet anëtare e duan këtë. Zhvendosja e disa ekipeve nga EEAS te Komisioni nuk do të zgjidhë Lindjen e Mesme dhe as nuk do të ndalojë luftën e Rusisë”, deklaroi zyrtari për POLITICO.
Sipas tij, BE mund të fitojë më shumë ndikim në arenën ndërkombëtare nëse koordinon më mirë instrumentet që ka në dispozicion, nga diplomacia dhe politikat e vizave te tregtia, ndihma financiare dhe misionet europiane. Në këtë drejtim, Kallas mund të marrë një rol më të fortë në përcaktimin e orientimit strategjik, edhe për shkak të lidhjes së postit të saj me Këshillin.
Ndërkohë, vetë Kallas u ka dërguar kryeqyteteve europiane një pyetësor të shkurtër për të mbledhur qëndrimet e shteteve anëtare dhe pritet të paraqesë disa propozime fillestare gjatë kësaj jave.
Pesë çështjet kryesore të ngritura prej saj lidhen me mënyrën se si BE mund të bëhet një aktor global më i vendosur strategjikisht, si mund të përdorë më mirë 145 delegacionet e EEAS në botë, si mund të përmbushë më mirë mandatin e përcaktuar nga traktatet dhe si mund të thjeshtojë bashkëpunimin institucional me Komisionin dhe Këshillin. Një tjetër pikë është forcimi i kontributit të diplomacisë europiane në diskutimet mes liderëve të BE-së.
Megjithatë, Kallas nuk pritet të ndërmarrë menjëherë ndryshime të mëdha. Sipas POLITICO, ajo synon të presë krijimin e plotë të ekipit të ri drejtues të EEAS, përfshirë marrjen e detyrës nga sekretarja e përgjithshme e ardhshme, Kajsa Ollongren, përpara se të avancojë me reforma më të gjera.


