Rregullatori britanik i barnave ka miratuar pilulën e re të Eli Lilly për menaxhimin e peshës, duke e bërë Mbretërinë e Bashkuar vendin e parë në Evropë që autorizon medikamentin.
Agjencia britanike për Rregullimin e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) miratoi të hënën Foundayo, me përbërës aktiv orforglipron, për menaxhimin e peshës dhe trajtimin e diabetit të tipit 2.
Vendimi shënon licencën e parë evropiane për këtë medikament të Eli Lilly, ndërsa në Bashkimin Evropian një vendim për autorizimin e tij nuk pritet përpara vitit të ardhshëm.
Foundayo është ilaçi i parë oral i Eli Lilly që i përket klasës së barnave GLP-1, të cilat vitet e fundit kanë shënuar një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës, veçanërisht për përdorimin e tyre në menaxhimin e peshës.
Deri tani, një prej produkteve kryesore të kompanisë në këtë treg ka qenë Mounjaro, me përbërës aktiv tirzepatide, i cili administrohet përmes injeksionit.
Miratimi i një forme në tabletë pritet të intensifikojë konkurrencën në treg, pasi shumë pacientë mund ta konsiderojnë përdorimin oral më praktik sesa injeksionet.
Eli Lilly do të përballet drejtpërdrejt me kompaninë daneze Novo Nordisk, e cila ka hedhur në treg versionin në tabletë të Wegovy, me përbërës aktiv semaglutide. Pilula është lançuar këtë vit në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe pritet të mbërrijë së shpejti edhe në disa vende të Bashkimit Evropian.
Drejtori ekzekutiv i Novo Nordisk, Mike Doustdar, deklaroi javën e kaluar se kompania po përpiqet ta bëjë pilulën të disponueshme për sa më shumë pacientë, në një përpjekje për të siguruar një pjesë sa më të madhe të këtij tregu në rritje.
Novo Nordisk po përgatitet gjithashtu për lançimin e produktit në Gjermani me çmimin e përcaktuar nga vetë kompania, pavarësisht presionit nga administrata amerikane për rritjen e çmimeve të barnave në Evropë.
Uashingtoni u ka kërkuar vendeve evropiane të paguajnë më shumë për disa medikamente, me argumentin se kjo do të ndihmonte në kompensimin e të ardhurave më të ulëta të kompanive farmaceutike nga ulja e çmimeve të barnave në SHBA.
Sipas materialit, deri tani Mbretëria e Bashkuar është i vetmi vend që ka pranuar të paguajë më shumë për barnat përmes një marrëveshjeje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, miratimi i Foundayo nuk do të thotë se pilula do të financohet menjëherë nga sistemi publik britanik i shëndetësisë. Fillimisht, medikamenti pritet të jetë konkurrent në tregun privat.
Vendimi nëse Shërbimi Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS) do të mbulojë kostot e trajtimit nuk pritet përpara 18 nëntorit. Vlerësimi do të bëhet nga Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Ekselencën e Kujdesit (NICE), institucioni që përcakton nëse trajtimet duhet të financohen nga sistemi publik.
Hyrja e Foundayo në treg shton konkurrencën mes Eli Lilly dhe Novo Nordisk, dy prej kompanive kryesore në tregun e barnave GLP-1, ndërsa format orale pritet të bëhen një nga frontet kryesore të garës për pacientët që kërkojnë alternativa ndaj trajtimeve me injeksion.


