×
E mërkurë, 20 Janar, 2021

BE konstaton rënie të migrantëve që hyjnë ilegalisht përmes Turqisë

27 Tetor, 2020

Numri i migrantëve që hyjnë ilegalisht në Bashkimin Evropian përmes Turqisë këtë vit ka rënë ndjeshëm, sipas medieve. Shifra ka arritur pikën më të ulët në pesë vjet.

Bashkimi Evropian konstaton një rënie prej 70 përqind të migrantëve që hynë ilegalisht në komunitet nga Turqia në nëntë muajt e parë të vitit 2020, njoftoi të martën e përditshmja gjermane Welt.

“Numri i ardhjeve nga Turqia në BE në vitin 2020 ishte 14.579” informon gazeta, duke cituar një raport për situatën nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm.

Vitin e kaluar në të njëjtën kohë, kjo shifër ishte 48.554 vetë. Shifra e këtij viti është më e ulta që nga viti 2015.

Nga migrantët që hynë në BE këtë vit, 11.921 shkuan në Greqi, 2.334 në Itali, 35 në Bullgari dhe 289 shkuan me anije direkt në Qipro, tha Welt, duke cituar raportin e BE.

Agjencia kufitare e BE, Frontex konstatoi në fillim të këtij muaji në mënyrë të ngjashme një rënie të konsiderueshme në kalimet e paligjshme të kufirit përmes itinerarit lindor të Mesdheut në vitin 2020. Agjencia raportoi për tre të katërtat më pak hyrje nga janari në shtator të këtij viti, krahasuar me të kaluarën.

Migranten an der türkisch-griechischen Grenze (picture-alliance/AP Photo/E. Gurel)

Kërcënimet nga Turqia

Brukseli ra dakord për një marrëveshje me Ankaranë në 2016 që, ndër të tjera, kishte për qëllim frenimin e numrit të migrantëve që hyjnë ilegalisht në BE. Kjo në këmbim të mbështetjes financiare për përkujdesje për refugjatët në Turqi.

Në shkurt dhe mars të këtij viti, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan hapi kufirin e vendit të tij me Greqinë për migrantët dhe refugjatët që përpiqen të hyjnë në Evropë. Ky hap u pa si një përpjekje për të bërë presion ndaj Brukselit, për të mbështetur fushatën ushtarake të Ankarasë në Siri. Ky veprim çoi në përplasje kufitare midis migrantëve dhe autoriteteve greke të sigurisë, të cilët përdorën gaz lotësjellës dhe topa uji për të larguar turmat.

Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu tha në mars se qeveria e tij kishte lejuar 75000 vetë të kalonin kufirin me Greqinë, por shifrat në raportin e BE, të cituara nga Welt, nuk e mbështesin këtë pretendim.

Gjermania nuk kryeson në BE në kërkesat për azil

Raporti tregon gjithashtu se në BE (plus Norvegjia dhe Zvicra) janë paraqitur 321.685 kërkesa për azil, nga janari në shtator të këtij viti. Spanja kryeson të gjitha vendet me 72.500 kërkesa. Gjermania vjen e dyta me 60.694, e ndjekur nga Franca (60.621), Greqia (36.127) dhe Italia (16.051).

Nga kërkesat për azil të bëra në Gjermani, 26% ishin nga sirianët, 9.1% nga afganët dhe 9% nga irakianët.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për