Qeveria ka miratuar projektaktin për mbylljen e kantierit të vjetër të Pashalimanit, i cili do të vihet në dispozicion të kompanisë Fincantieri, në kuadër të një sipërmarrjeje të përbashkët me shoqërinë KAYO.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se vendimi i hap rrugën transformimit të kantierit detar të Pashalimanit dhe bashkëpunimit me Fincantieri, një nga kompanitë më të mëdha në botë në ndërtimin e anijeve.
“Ky akt i hap rrugën zhvillimit të atij kantieri detar që ka prodhuar tashmë anije në Republikën e Shqipërisë, për zhvillimin e një bashkëpunimi tregtar me shoqërinë Fincantieri, së bashku me shoqërinë KAYO, në këtë sipërmarrje të përbashkët”, tha Nufi.
Sipas tij, në kantier do të prodhohen anije me gjatësi deri në 82 metra, duke rritur ndjeshëm kapacitetet prodhuese dhe teknologjike të industrisë detare në Shqipëri.
Ministri theksoi se kantieri do të transformohet plotësisht për t’u përshtatur me ndërtimin e anijeve të kësaj kategorie, ndërsa investimi pritet të ketë ndikim në forcimin e sigurisë kombëtare, zhvillimin e industrisë teknologjike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Do të prodhohen anije deri në 82 metra, që është një hap i jashtëzakonshëm jo vetëm për kapacitetet prodhuese, por edhe për kapacitetet teknologjike në Republikën e Shqipërisë. Ai kantier do të shndërrohet i tëri dhe do të përshtatet për prodhimin e anijeve të këtyre përmasave. Është një vlerë e shtuar jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për prodhimin teknologjik dhe vendet e punës”, u shpreh Nufi.


