Ballkani Perëndimor, kopshti i brendshëm i Europës

25 Mar 2020 11:09
Shpërndaje:

Që Ballkani Perëndimor si kopshti i brendshëm i Europës të jetë anëtar i denjë në BE, kjo është në dorën e vetë njerëzve dhe politikanëve të këtyre vendeve, mendon Adelheid Feilcke.

Në kohët e Coronas shumë gëzohen që kanë një kopsht brenda shtëpisë. Ndonëse ai nuk është një oborr pompoz, që do të ishte më i preferuar, por një kopsht i lënë disi pasdore, ai është një qoshëz e mbrojtur me potencial. Me pak më shumë vëmendje, më shumë përkujdesje për bimëzat e lëna pasdore ky kopsht mund të bëhet një pjesë e vlefshme e ansamblit, në të cilin do të qëndrosh dhe që i bashkon banorët dhe forcon bashkësinë e shtëpisë.

Si kopshti i brendshëm i Europës konsiderohet tani Ballkani Perëndimor. Me këtë metaforë të goditur ministri gjerman për Europën, Michael Roth pa u lodhur angazhohet që më në fund vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në familjen europiane.

Reklamë Ola

Një figurë që apelon për përgjegjësinë dhe unitetin brenda Europës dhe me Ballkanin Perëndimor, por që edhe nxjerr në pah njëkohësisht vështirësitë: Mungesën e unitetit brenda vendeve të BE-së për formësimin e integrimit dhe parcelizimin e rajonit: vende si Serbia dhe Mali i Zi ndërkohë ndodhen në procesin e antarësimit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tani më në fund duhet të fillojnë negocitatat e antarësimit dhe shtete si Bosnje-Hercegovina e Kosova, që janë terrene mjaft të ndërlikuara politike dhe për shkak të konflikteve shtetërore brenda rajonit si dhe prej mosunitetit brenda BE-së nuk kanë kanë shanse për bisedime antarësimi.

Edhe pse banorët e shtëpisë Europa qysh më 2003 njëzëri u shprehën për perspektivën europiane të këtyre vendeve, ata vazhdimisht kanë qenë në dilemë se çfarë të bëjnë me këtë truall, që qartazi ndodhet në mesin e tyre, por në një farë mënyre u ka shkaktuar më shumë telashe se sa kënaqësi.

Reklamë InterMedika

Vazhdimisht ata kanë qenë në dilemë se çfarë donin të mbjellin dhe si të ndanin përgjegjësinë, banorët e rinj shtronin kërkesa të reja, barërat e këqija gëlonin dhe u zinin frymën atyre pak filizave shpresëdhënëse. Së fundi ishte bashkëbanori Macron ai që papritur vendosi rregulla të reja për kopshtin e brendshëm duke e penguar fazën e dytë të planifikuar prej kohësh për konceptimin e tij – pra hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Koha për një sinjal të rëndësishëm në rajon”

Në kohët e Coronas lipset më shumë se kurrë uniteti ndër banorët dhe përgjegjësia e përbashkët për kopshtin e brendshëm.Në mënyrë që ndihma e shpejtë për sistemet e rënuara shëndetësore të mbërrijë shpejt dhe të merren masa të bashkërenduara në Ballkanin Perëndimor. Për politikanët dhe banorët e Ballkanit Perëndimor integrimi në BE përgjatë shumë viteve të pritjes është bërë një perspektivë gjithnjë e më e vështirë për t’ua përçuar njerëzve. Së fundi presidenti serb Aleksandar Vuçiç vlerësoi lart ndihmën kineze dhe kritikoi ashpër BE-në për mbylljen e kufijve dhe ndihmat e çala.

Ndaj ishte koha për të dhënë një sinjal të rëndësishëm në rajon, që BE tani ka vendosur hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Rruga është ende shumë shumë e gjatë deri tek antarësimi i plotë, derisa gjithçka të formësohet në atë mënyrë që vlerat europiane të rriten e të lulëzojnë pa u trazuar, që farat e këqia, korrupsioni dhe populizmi të jenë çrrënjosur aq sa të mos mund t’u zenë më frymën e të hedhin hijen e tyre mbi shtetin ligjor dhe lirinë e mendimit.

BE-ja duhet ta shoqërojë këtë proces me mjeshtëri dhe ta mbështesë e ta nxisë atë e po ashtu duhet edhe ta kultivojë e vadisë fort, aq më tepër tani kur Rusia dhe Kina me paketa ndihmash për shkak të krizës Corona si një substrat i freskët synojnë ta mbulojnë shtratin europian të këtij kopshti. Sidoqoftë kopshtarët nuk mund të bëjnë gjë, në rast se toka dhe fara nuk kanë cilësi. Fara e këtij kopshti janë vetë njerëzit dhe politikanët në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut. Eshtë në dorën e tyre që në shtëpinë e përbashkët Europa të bëhen anëtarë të denjë.

Këto vende duhet të zhvillohen vet dhe t’i përvetësojnë standardet europiane. Shqipërisë i është dhënë në këtë rrugëtim një katalog i tërë masash, për të mposhtur strukturat e korruptuara dhe për të stabilizuar shtetin ligjor. Por tani është e qartë për të dyja palët, për bashkësinë e shtëpisë si edhe për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, se ky kopsht i brendshëm i Europës duhet zhvilluar si një hapësirë e shpalosjes bashkarisht. Menjëherë duhen përveshur mëngët për të nisur punën!

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating
0
Would love your thoughts, please comment.x