Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se Moska mund ta konsiderojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Britanisë së Madhe në sulmet ndaj territorit rus si pjesëmarrje në luftën në Ukrainë.
Sipas agjencisë Interfax, Lavrov deklaroi se Rusia ka të drejtë ta trajtojë një përfshirje të tillë britanike si pjesëmarrje në konflikt, duke rritur më tej tensionet mes Moskës dhe Londrës.
Deklarata e kryediplomatit rus vjen pasi gazeta britanike “The Times” raportoi se dronë të prodhuar në Britani janë përdorur për herë të parë nga Ukraina në sulme me rreze të gjatë ndaj objektivave brenda territorit rus.
Pas publikimit të raportimit, Ambasada ruse në Londër paralajmëroi Britaninë për “pasoja” lidhur me furnizimin e Ukrainës me dronë. Moska ka akuzuar vazhdimisht vendet perëndimore se, përmes furnizimit me armë dhe mbështetjes ushtarake për Kievin, po përfshihen gjithnjë e më drejtpërdrejt në konflikt.
Rusia ka pretenduar edhe më herët se specialistë britanikë kanë qenë të përfshirë në sulme ndaj objektivave në territorin rus, duke paralajmëruar se roli i Londrës do të “merret parasysh” në mënyrën se si Moska do të përgjigjet.
Nga ana tjetër, kryeministri britanik Andy Burnham ka bërë të qartë se paralajmërimet ruse nuk do të ndryshojnë qëndrimin e Londrës ndaj Kievit.
Burnham deklaroi se Britania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën “100%” kundër pushtimit rus, duke theksuar se Londra do të qëndrojë pranë Kievit në momentet e tij më të vështira. Ai tha se mbështetja ndaj Ukrainës për t’u mbrojtur ka qenë qëndrimi i vazhdueshëm i qeverive britanike dhe do të vijojë edhe nën drejtimin e tij.
Deklaratat e Lavrovit shënojnë një tjetër përshkallëzim të retorikës mes Rusisë dhe Britanisë, në një kohë kur Ukraina ka intensifikuar sulmet me rreze të gjatë ndaj objektivave ushtarake dhe energjetike brenda territorit rus.


