Ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka përcjellë mesazhin e saj të parë pas nisjes së misionit diplomatik në Tiranë, duke theksuar se mbështetja e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE do të jetë në qendër të mandatit të saj.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Moreira de Sousa u shpreh krenare për marrjen e detyrës së re dhe përshëndeti Shqipërinë me mesazhin: “Mirë se të gjeta, Shqipëri!”.
Diplomatja europiane theksoi se gjatë mandatit të saj do të angazhohet për të mbështetur avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke bashkëpunuar me institucionet dhe qytetarët shqiptarë.
“Jam krenare që nis misionin tim si Ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Shqipëri. Mbështetja e rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Europian do të jetë në qendër të misionit tim dhe mezi pres të punoj me të gjithë ju drejt këtij qëllimi”, shkroi Moreira de Sousa.
Me marrjen e detyrës, Sofia Moreira de Sousa nis zyrtarisht drejtimin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, në një periudhë të rëndësishme për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ambasadorja e re pritet të ketë në fokus bashkëpunimin me institucionet shqiptare dhe mbështetjen e reformave që lidhen me procesin e anëtarësimit, ndërsa Tirana synon të avancojë negociatat dhe të përmbushë detyrimet që burojnë nga ky proces.


