Rama në Forumin e Cernobbios, në fokus Europa dhe Mesdheu

04 Sep 2026 10:54
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në edicionin e 52-të të Forumit “Intelligence on the World, Europe and Italy”, që zhvillohet në Cernobbio të Italisë dhe mbledh drejtues të lartë politikë, institucionalë dhe ekonomikë nga Europa dhe vende të tjera të botës.

Rama do të jetë pjesë e panelit “Agjenda për Europën”, në sesionin e posaçëm kushtuar “Rajonit të Mesdheut”, ku do të diskutohet mbi rolin e kësaj zone në zhvillimet e reja politike, ekonomike dhe të sigurisë në kontinent.

Në panel, Kryeministri shqiptar do të jetë së bashku me Kryeministrin e Kroacisë dhe Presidentin e MED9, Andrej Plenković. Diskutimi do të moderohet nga ish-Kryeministri italian Paolo Gentiloni.

Reklamë Ola

Pjesëmarrja e Ramës zhvillohet në kuadër të një forumi që sjell së bashku përfaqësues të politikës, institucioneve dhe ekonomisë për të diskutuar sfidat kryesore me të cilat përballet Europa dhe pozicionin e saj në një rend ndërkombëtar që po ndryshon.

Në qendër të diskutimeve janë zhvillimet gjeopolitike dhe ekonomike, roli i Europës në botë, sfidat globale, si dhe rëndësia strategjike e Mesdheut në arkitekturën e re europiane dhe ndërkombëtare.

Reklamë InterMedika

Forumi i Cernobbios konsiderohet një hapësirë e rëndësishme diskutimi mes liderëve politikë, drejtuesve institucionalë dhe përfaqësuesve të botës së biznesit, me debatet që këtë vit pritet të përqendrohen veçanërisht te sfidat që prekin të ardhmen ekonomike dhe strategjike të Europës.