Nis “Prania Besnike”, Rama: Çdo të premte qytetarët do të dëgjohen pa kamera dhe pa teserë partie

04 Sep 2026 20:11
Shpërndaje:

Në të gjithë vendin ka nisur këtë të premte, në orën 17:00, nisma “Prania Besnike”, një proces takimesh me qytetarët që do të zhvillohet çdo javë, në të njëjtën orë dhe në vende të përcaktuara.

Nisma u prezantua një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me grupin parlamentar socialist dhe kabinetin qeveritar, si një mekanizëm që synon të krijojë një komunikim të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se çdo njësi administrative, si dhe zonat urbane brenda qyteteve më të mëdha, do të kenë “Praninë” e tyre një të premte në muaj.

Reklamë Ola

Sipas Kryeministrit, “Prania Besnike” do të funksionojë si një hapësirë neutrale, ku qytetarët mund të paraqesin individualisht problematikat, ankesat, kërkesat apo shqetësimet e tyre.

“Hyhet pa kamera dhe pa teserë partie”, shkroi Rama, duke theksuar se takimet nuk do të funksionojnë si mbledhje politike apo partiake, por si dëgjesa individuale me qytetarët.

Reklamë InterMedika

Çështjet e ngritura gjatë takimeve do të regjistrohen dhe më pas do t’u përcillen zyrtarisht institucioneve përgjegjëse përmes deputetëve. Synimi, sipas Ramës, është që çdo qytetar të marrë një përgjigje për problematikën që ka paraqitur.

“Nuk premton zgjidhje, po zotohet se asgjë nuk do të mbetet pa u adresuar dhe askush pa marrë përgjigjen që i takon me ligj e me zakon”, deklaroi Kryeministri.

“Prania Besnike të dëgjon dhe Besa të thotë më kontrollo”, shtoi Rama, duke e lidhur nismën me mekanizmin e ndjekjes së problematikave të raportuara nga qytetarët.

Kryeministri kishte sqaruar më herët se “Prania Besnike” nuk duhet të shihet si pjesë e një kalendari elektoral apo thjesht organizativ të Partisë Socialiste. Sipas tij, synimi është ngritja e një sistemi ku dëgjimi i qytetarëve të kthehet në një proces të vazhdueshëm dhe përgjigjja institucionale ndaj problematikave të tyre në një detyrim.

Nisma parashikon që deputetët të shërbejnë si hallkë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve, pa ndërhyrë për favore apo zgjidhje jashtë procedurave, por duke ndjekur çështjet e referuara deri në marrjen e një përgjigjeje.