Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, zhvilloi sot në Kavajë takimin e parë në kuadër të nismës “Prania Besnike”, një format i ri komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Përmes kësaj nisme, qytetarët do të kenë mundësinë të takojnë çdo të premte në orën 17:00 përfaqësuesit e tyre të zgjedhur në Parlament, për të adresuar shqetësimet, ankesat dhe kërkesat e tyre.
“Qytetari e di fiks kur dhe ku na takon ne përfaqësuesit e vet të zgjedhur në Parlament. Çdo të premte ora 17:00. Vendi nuk ndryshon. Nuk është mbledhje, por dëgjesë individuale e hallit, ankesës dhe kërkesës”, u shpreh Balla.
Sipas tij, “Prania Besnike” është një angazhim për të qenë pranë qytetarëve në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa platforma “BESA” synon të forcojë llogaridhënien dhe komunikimin e drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve politikë dhe komunitetit.
Takimi i zhvilluar në Kavajë shënon nisjen e një serie dëgjesash periodike, të cilat do të zhvillohen në terren për të dëgjuar nga afër problematikat dhe nevojat e qytetarëve.


