Witkoff dhe Kushner drejt Kievit pas Moskës, Zelensky: Të kërkojmë zgjidhje reale për fundin e luftës

04 Sep 2026 20:34
Shpërndaje:

Dy negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojnë drejt Ukrainës të dielën, menjëherë pas vizitës së tyre në Moskë, ku pritet të zhvillojnë bisedime lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili deklaroi se Kievi do të garantojë sigurinë e hapësirës ajrore gjatë kohës që dy përfaqësuesit amerikanë do të ndodhen në Rusi.

Zelensky i bëri gjithashtu thirrje Moskës që të ndalojë sulmet ajrore ndaj Ukrainës gjatë zhvillimit të negociatave, duke kërkuar reciprocitet nga pala ruse.

Reklamë Ola

“Siç ndodhi gjatë vizitave të mëparshme diplomatike nga pala amerikane, ne do të sigurojmë funksionimin e qetë të hapësirës ajrore ruse në mënyrë që negociatorët të mund të mbërrijnë të sigurt. Ne po kujdesemi për ta, jo Rusia. Nuk do të ketë sulme ajrore nga ana jonë dhe Rusia duhet të përgjigjet në të njëjtën mënyrë”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.

Pas përfundimit të takimeve në Moskë, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Ukrainës, ku pala ukrainase do të njihet me propozimet e diskutuara dhe përgjigjet e marra gjatë negociatave me Rusinë.

Reklamë InterMedika

Presidenti ukrainas theksoi se Kievi synon që bisedimet me delegacionin amerikan të jenë sa më konkrete dhe të përqendrohen në gjetjen e një rruge realiste për përfundimin e konfliktit.

“Qëllimi ynë është vizita më konstruktive dhe thelbësore e mundshme, si dhe negociatat me palën amerikane. Ne duhet të kërkojmë zgjidhje realiste për t’i dhënë fund kësaj lufte. Do të shohim se çfarë propozimesh do të kenë Steve dhe Jared dhe çfarë përgjigjeje do të marrin në Moskë”, deklaroi Zelensky.

Vizitat e njëpasnjëshme në Moskë dhe Ukrainë vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike amerikane janë përqendruar në gjetjen e një formule që mund të afrojë qëndrimet e palëve dhe të krijojë kushtet për avancimin e negociatave për përfundimin e luftës.