Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do t’u kërkojë vendeve europiane të shlyejnë paratë që Shtetet e Bashkuara dhanë për mbështetjen e Ukrainës gjatë presidencës së paraardhësit të tij, Joe Biden.
Trump e bëri deklaratën përmes një mesazhi në platformën e tij Truth Social, ku kritikoi mënyrën se si administrata e mëparshme amerikane financoi mbështetjen për Ukrainën dhe NATO-n.
“Qindra miliarda dollarë iu dhanë Ukrainës dhe NATO-s, falas, për të cilat Europa do të kishte paguar, nëse do t’u ishte kërkuar. Por, ne do t’i kërkojmë ato para, edhe nëse është pak vonë”, shkroi presidenti amerikan.
Trump ka kërkuar prej kohësh që aleatët europianë të marrin përsipër një pjesë më të madhe të kostos së mbështetjes perëndimore për Ukrainën në luftën me Rusinë. Këtë qëndrim ai e ka mbajtur edhe përpara rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, duke kritikuar vazhdimisht atë që e konsideron një barrë të pabarabartë financiare mes SHBA-së dhe Europës.
Megjithatë, deklarata e fundit shkon më tej, pasi presidenti amerikan flet drejtpërdrejt për kërkimin e shlyerjes së parave të dhëna më parë nga Washingtoni.
Trump nuk dha detaje se cilave vende europiane do t’u drejtohej një kërkesë e tillë, se për çfarë shume bëhet fjalë apo se përmes cilit mekanizëm administrata amerikane do të synonte të siguronte kthimin e fondeve.
Presidenti amerikan e ngriti çështjen e kostos së mbështetjes për Ukrainën në kuadër të një mesazhi që ishte përqendruar kryesisht te rezervat e armëve të Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën deklaratë, Trump hodhi poshtë sërish raportimet se rezervat amerikane të armatimeve janë përballur me mungesa si pasojë e luftës me Iranin.
Qëndrimi i fundit i Trump pritet të shtojë debatin mbi ndarjen e barrës financiare mes SHBA-së dhe aleatëve europianë, ndërsa mbështetja për Ukrainën dhe kostot e saj vazhdojnë të jenë një nga çështjet kryesore në marrëdhëniet transatlantike.


