Nis shtrimi i 3.2 km rrugë në Prezë, Balla: Investim për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale

27 Aug 2026 10:57
Shpërndaje:

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, inspektoi nisjen e punimeve për shtrimin e rrugës së Palaqit në Prezë, një investim i rëndësishëm që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetjen e zhvillimit turistik të zonës.

I shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Shera, Balla vlerësoi potencialin e Prezës si një destinacion turistik dhe agroturistik në rritje.

“Preza është një destinacion shumë i bukur dhe me disa pika agroturistike tepër cilësore. Bashkë me kryetarin e Bashkisë, Blerim Shera, pamë nga afër nisjen e punimeve për shtrimin e 3.2 kilometrave të rrugës së Palaqit, një investim falë mbështetjes së Qeverisë Shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, u shpreh Balla.

Reklamë Ola

Sipas tij, investimi do të përmirësojë ndjeshëm aksesin për banorët dhe bizneset e zonës, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e turizmit, agroturizmit dhe ekonomisë lokale.

Punimet janë pjesë e investimeve infrastrukturore që po realizohen në Bashkinë Vorë, me fokus përmirësimin e lidhjeve rrugore dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve lokale.

Reklamë InterMedika