BE dhe SHBA shtojnë presionin ndaj liderëve të Kosovës: Ngërçi politik po i kushton vendit mundësi të rëndësishme

22 Aug 2026 16:39
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur thirrjet ndaj liderëve politikë të Kosovës për t’i dhënë fund ngërçit institucional dhe për të bashkëpunuar në formimin e institucioneve të reja, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim në rritje për situatën, duke vënë theksin te fakti se Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar edhe pas përfundimit të afatit kushtetues më 7 gusht.

“Nga perspektiva e BE-së, ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga kriza institucionale në përshkallëzim në Kosovë, veçanërisht nga fakti që Kuvendi mbetet i pakonstituuar pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht”, deklaroi për RTV21 zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Nikola Gaon.

Reklamë Ola

Brukseli paralajmëron se zgjatja e krizës nuk ka vetëm pasoja politike, por mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në proceset e reformave dhe në mundësitë financiare që Kosova mund të përfitojë nga Bashkimi Evropian.

Sipas BE-së, mungesa e institucioneve funksionale rrezikon të vonojë reformat e rëndësishme dhe të kufizojë aftësinë e Kosovës për të shfrytëzuar plotësisht instrumentet e mbështetjes evropiane, përfshirë fondet e parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Reklamë InterMedika

Një mesazh të ngjashëm ka përcjellë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, duke u kërkuar forcave politike të bashkëpunojnë dhe të gjejnë një rrugëdalje nga situata aktuale.

“Udhëheqësit politikë të Kosovës duhet të bashkëpunojnë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret që udhëheqësit të veprojnë në interesin më të mirë të vendit”, deklaroi një zëdhënës i Ambasadës amerikane për RTV21.

Uashingtoni paralajmëroi gjithashtu se vazhdimi i bllokadës politike po sjell një kosto konkrete për Kosovën.

“Ngërçi i vazhdueshëm po i kushton Kosovës me humbje mundësish; udhëheqësit duhet t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët”, thuhet në qëndrimin e Ambasadës amerikane.

Thirrjet e reja të BE-së dhe SHBA-së vijnë në një moment kur forcat politike në Kosovë vazhdojnë të mos gjejnë një marrëveshje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit dhe më pas formimit të institucioneve të tjera.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht, por procesi mbetet ende i papërfunduar, duke thelluar pasigurinë politike dhe institucionale.

Mesazhi nga dy prej partnerëve kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës është i njëjtë: ngërçi duhet të marrë fund dhe institucionet duhet të formohen pa vonesa të mëtejshme. Ndërsa BE-ja paralajmëron veçanërisht për ndikimin mbi reformat dhe fondet evropiane, SHBA-ja thekson se zvarritja e krizës po i kushton Kosovës mundësi dhe po pengon progresin dhe stabilitetin e vendit.