Nis sot Kategoria Superiore, Duka: Sezon me më shumë konkurrencë dhe hapësira për talentet shqiptare

21 Aug 2026 12:50
Shpërndaje:

Kategoria Superiore ngre këtë të premte siparin e sezonit të ri. Edicioni i 88-të i kampionatit shqiptar të futbollit nis me përballjen mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, që do të luhet në orën 21:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Në prag të startit të kampionatit, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përcjellë një mesazh për klubet, futbollistët, trajnerët, arbitrat dhe tifozët, duke vënë theksin te rritja e konkurrencës, zhvillimi i talenteve të rinj dhe profesionalizimi i mëtejshëm i futbollit shqiptar.

“Ky sezon do të jetë ndryshe”, theksoi Duka, duke iu referuar formatit të ri të kampionatit. Edicioni do të zhvillohet fillimisht në tri faza të rregullta dhe më pas skuadrat do të ndahen në play-off dhe play-out.

Reklamë Ola

Sipas kreut të FSHF-së, formati synon të krijojë një garë më të fortë dhe të hapur deri në fund, si në luftën për titullin dhe vendet që çojnë në Europë, ashtu edhe në betejën për mbijetesë.

Rregull i ri për talentet shqiptare

Reklamë InterMedika

Një prej risive të këtij sezoni lidhet me aktivizimin e futbollistëve të rinj. Klubet do të kenë detyrimin të aktivizojnë një lojtar të datëlindjes 2007 e në vijim, i cili duhet të ketë pasaportë shqiptare.

Duka e cilësoi këtë si një mundësi konkrete që talentet e reja të fitojnë më shumë minuta, eksperiencë dhe besim në nivelin më të lartë të futbollit vendas.

“Investimi te të rinjtë është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit shqiptar”, u shpreh ai.

Presidenti i FSHF-së u ndal edhe te ecuria e klubeve shqiptare në kompeticionet europiane. Ai përmendi Egnatian, e cila ka siguruar një vend në fazën e ligës së UEFA Conference League dhe vijon të luftojë për Europa League, si dhe Dinamo City, që është në play-off-in e Conference League.

Sipas Dukës, rezultatet tregojnë se klubet shqiptare po fitojnë më shumë eksperiencë dhe po bëhen gjithnjë e më konkurruese në arenën europiane.

Duka apel tifozëve: Stadiumet kanë nevojë për ju

FSHF, sipas presidentit të saj, do të vazhdojë të mbështesë klubet për investimet në akademi, infrastrukturë dhe profesionalizëm, ndërsa edhe iniciativa “Klubi në Komunitet” do të vijojë gjatë sezonit të ri për të afruar më shumë klubet me tifozët, familjet dhe fëmijët.

Një mesazh të veçantë Duka ua drejtoi tifozëve, të cilëve u kërkoi të mbështesin skuadrat dhe të rikthejnë atmosferën në stadiume.

“Stadiumet kanë nevojë për pasionin, zërin dhe mbështetjen tuaj. Le t’i mbushim ato me emocione dhe rivalitet sportiv, duke respektuar gjithmonë kundërshtarin dhe lojën”, tha Duka.

Në përfundim, kreu i FSHF-së uroi të gjitha skuadrat për një sezon të suksesshëm dhe tifozët për një kampionat “të bukur, emocionues dhe të paharrueshëm”.