BE për hapjen e urës mbi Ibër: Duhet koordinim mes institucioneve, Policia e Kosovës të garantojë sigurinë

18 Aug 2026 15:21
Shpërndaje:

Komisioni Europian ka kërkuar koordinim efektiv dhe konsultime mes institucioneve qendrore të Kosovës dhe komunave të prekura për procesin e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anita Hipper, deklaroi se qëndrimi i Bashkimit Europian për këtë çështje mbetet i qartë, duke vënë theksin te nevoja që çdo hap të ndërmerret përmes koordinimit dhe konsultimeve kuptimplota.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Reklamë Ola

Ajo rikujtoi se aktualisht ura është e hapur për këmbësorët, por ende jo për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, u shpreh zëdhënësja e Komisionit Europian.

Reklamë InterMedika

Deklarata vjen në një moment kur zhvillimet rreth urës kryesore të Mitrovicës janë rikthyer në qendër të vëmendjes. KFOR-i njoftoi më herët se ka nisur një “tranzicion gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë, duke e lidhur këtë proces me situatën e sigurisë.

Megjithatë, misioni i NATO-s ka bërë të qartë se trupat mund të rikthehen ose prania e tyre të përforcohet nëse zhvillimet në terren e bëjnë të nevojshme.

KFOR-i pritet të vazhdojë të mbajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës në përgjithësi, me synimin për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet.

Ura kryesore mbi lumin Ibër lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, me Mitrovicën e Veriut, ku shumica e popullsisë është serbe. Ajo u bllokua për qarkullimin e automjeteve pas luftës së vitit 1999 dhe gjatë viteve ka qenë një nga pikat më të ndjeshme të tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës.

Çështja e hapjes së saj për automjetet ka shkaktuar reagime të ndryshme politike, ndërsa BE-ja kërkon që procesi të zhvillohet përmes dialogut dhe koordinimit institucional, duke vendosur në qendër sigurinë e të gjitha komuniteteve.