Eurodeputeti i qendrës së majtë Raphaël Glucksmann pritet të shpallë brenda ditëve të ardhshme kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 në Francë.
Sipas tre personave pranë tij, të cituar nga POLITICO, njoftimi ka të ngjarë të bëhet gjatë një interviste televizive të dielën. Glucksmann synon të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake të organizuara nga Partia Socialiste, ku mes kandidatëve janë Ségolène Royal dhe deputeti Philippe Brun. Edhe kreu i socialistëve, Olivier Faure, po shqyrton mundësinë e kandidimit.
Glucksmann, drejtues i partisë Place Publique, konsiderohet aktualisht një nga kandidatët më të pozicionuar të qendrës së majtë, pas rezultatit të fortë të arritur në zgjedhjet europiane të vitit 2024.
Megjithatë, sondazhet e vendosin ende pas Marine Le Pen, e cila kryeson garën, ndërsa për një vend në raundin e dytë Glucksmann pritet të përballetë edhe me kandidatë si Edouard Philippe dhe Jean-Luc Mélenchon.
Përplasja me Mélenchon pritet të jetë veçanërisht e fortë, pasi dy politikanët kanë qëndrime të ndryshme për një sërë çështjesh, përfshirë NATO-n dhe reformën e pensioneve.


