Partia Demokratike e Kosovës i ka drejtuar një kërkesë të re kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për thirrjen e vazhdimit të seancës të martën në orën 11:00, ndërsa Kuvendi vijon të mbetet i pakonstituuar edhe pas përfundimit të afatit kushtetues.
PDK-ja argumenton se roli i Deharit në këtë proces nuk është politik, por procedural, dhe kërkon që seanca të vazhdojë për t’i hapur rrugë konstituimit të institucioneve.
Paralelisht me kërkesën, PDK-ja ka vijuar të hënën aksionin e saj para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke i kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të shkojë në Kuvend dhe të krijojë kushtet për formimin e institucioneve të reja.
“Z. Kurti duhet që ta kuptojë se, në vend që të sabotojë Kuvendin, të vijë aty, të krijojë mundësi për ta konstituar Kuvendin. Ai është qëllimi parësor dhe puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit”, deklaroi deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
Presioni ndaj Qeverisë në detyrë është shtuar edhe nga Aleanca, e cila ka vijuar me veprimet që i cilëson si përpjekje për “parandalimin e shfrytëzimit të shtetit për nevoja të partisë”.
Deputeti Besnik Tahiri paralajmëroi kallëzim penal ndaj Qeverisë në detyrë lidhur me 18 vendime të marra gjatë javës së kaluar.
“Nuk guxon asnjë qeveri, por as kjo që nuk ka legjitimitet, të kthejë administratën e shtetit në funksion të një partie. Kemi thënë që si Aleancë nuk do të lejojmë të kemi një parti shtet dhe po themi që kjo logjikë duhet të ndalet menjëherë”, deklaroi Tahiri.
Kriza institucionale vazhdon pasi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi më 7 gusht në mesnatë.
Parlamenti mbetet i pakonstituuar, pasi Vetëvendosje nuk ka propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe ka bërë të ditur se nuk do ta bëjë këtë pa arritjen paraprake të një marrëveshjeje politike.
Në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike në një takim të përbashkët që pritet të zhvillohet të martën.
PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar pjesëmarrjen në takim, ndërsa përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës vijojnë të mbajnë të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.


