Trump shkurton stërvitjet ushtarake me Korenë e Jugut, Seuli: Nuk u njoftuam paraprakisht

19 Aug 2026 16:36
Shpërndaje:

Koreja e Jugut nuk ishte informuar paraprakisht për vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të reduktuar ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes dy vendeve.

Ministri i Jashtëm koreano-jugor, Cho Hyun, deklaroi para komisionit parlamentar për çështjet e jashtme se njoftimi i Trump e kishte zënë Seulin në befasi.

“As qeveria jonë dhe as zyrtarët amerikanë nuk e dinin se çfarë do të shkruante Presidenti Trump në Truth Social. Ne nuk u njoftuam paraprakisht”, tha Cho.

Reklamë Ola

Trump urdhëroi të dielën Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, të reduktojë ndjeshëm stërvitjet vjetore, duke i cilësuar ato të kushtueshme dhe “krejtësisht të papërshtatshme dhe armiqësore” ndaj Koresë së Veriut. Presidenti amerikan e lidhi vendimin edhe me refuzimin e Seulit për të ndihmuar SHBA-në në konfliktin me Iranin.

Megjithatë, Cho sqaroi se ndryshimet konkrete në stërvitje po diskutohen mes dy aleatëve dhe ministrat e Mbrojtjes janë në konsultime të ngushta.

Reklamë InterMedika

Reduktimi ka nisur tashmë të zbatohet. Koreja e Jugut njoftoi se stërvitja e këtij viti do të përfundojë më 21 gusht dhe jo më 27 gusht, pas një kërkese amerikane, duke shkurtuar me gjashtë ditë programin e planifikuar.

Stërvitjet e përbashkëta SHBA-Kore e Jugut zhvillohen prej më shumë se 70 vitesh dhe konsiderohen një element kyç i aleancës mes dy vendeve. Pheniani i ka dënuar vazhdimisht ato, duke i konsideruar si përgatitje për një pushtim të mundshëm të Koresë së Veriut.