Besimtarët e krishterë kremtojnë Festën e Fjetjes së Shën Mërisë

15 Aug 2026 11:56
Shpërndaje:

Besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë sot, më 15 gusht, Festën e Fjetjes së Shën Mërisë, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit fetar për kishat ortodokse dhe katolike.

E njohur edhe si “Fjetja e Hyjlindëses”, kjo festë përkujton kalimin e Virgjëreshës Mari në jetën e përjetshme, pranë birit të saj, Jezu Krishtit. Kremtimet paraprihen nga dy javë kreshmë dhe shoqërohen me pelegrinazhe në kishat dhe manastiret kushtuar Shën Mërisë.

Një ndër monumentet më të rëndësishme fetare në vend është Kisha “Fjetja e Hyjlindëses” në kompleksin e Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë.

Reklamë Ola

E ndërtuar mbi një kodër, me pamje mbi rrënojat antike të Apolonisë, fushën e Myzeqesë dhe detin Adriatik, manastiri dhe kisha përbëjnë një nga komplekset fetare dhe historike më të vizituara në Shqipëri.

Ndërtimi i manastirit mendohet të ketë nisur në shekullin XIII, ndërsa për ngritjen e tij janë përdorur materiale ndërtimore të marra nga monumentet antike të zonës, përfshirë blloqe guri nga amfiteatri i Apolonisë dhe rrënoja të tjera të qytetit antik.

Reklamë InterMedika

Skena e “Fjetjes së Hyjlindëses” është paraqitur në afresket e shumë kishave ortodokse shqiptare, së bashku me episode të tjera të jetës së Virgjëreshës Mari, si Lindja e saj dhe Hyrja në Tempull.

Me rastin e festës, urim ka përcjellë edhe kryeministri Edi Rama.

“Dita e shenjtë e Festës së Fjetjes së Shën Mërisë. Për të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë, një festë të bekuar”, shkroi Rama në rrjetet sociale.