Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave italiane si një nga destinacionet më premtuese në Mesdhe, jo vetëm për turizëm, por edhe për investime, sipërmarrje dhe jetesë. Sipas një artikulli të publikuar nga torino.plus, vendi ndodhet në një fazë transformimi të shpejtë, duke ofruar mundësi që, sipas autorit, duhen shfrytëzuar përpara se Shqipëria të shndërrohet në një destinacion të konsoliduar ndërkombëtar.
Artikulli i gazetarit Claudio Pasqua ndalet te libri i Giovanni Fireras, “Të transferohesh në Shqipëri. Udhëzues praktik, fiskal dhe administrativ për qytetarët italianë, profesionistët, sipërmarrësit dhe pensionistët”, duke e cilësuar atë jo vetëm si një manual për ata që duan të transferohen, por edhe si një udhërrëfyes për të kuptuar Shqipërinë moderne dhe potencialin e saj ekonomik.
Sipas autorit, Shqipëria nuk është më vendi që shumë italianë kujtojnë nga vitet ’90. Tirana po transformohet me ritme të shpejta, zonat bregdetare po njohin një bum turistik, investimet janë në rritje dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian po krijon një klimë gjithnjë e më të favorshme për zhvillim.
Artikulli thekson se pikërisht kjo fazë tranzicioni e bën Shqipërinë veçanërisht interesante për sipërmarrësit. Sipas Fireras, vendi nuk duhet parë si një “tokë e premtuar”, por si një treg që kërkon njohjen e ligjeve, procedurave dhe realitetit vendas për të ndërtuar investime të suksesshme.
Në analizë përmenden mundësi në sektorë si turizmi, mikpritja, gastronomia, ndërtimi, teknologjia, shërbimet digjitale, konsulenca, arsimi dhe projektimi, duke argumentuar se rritja ekonomike dhe zhvillimi i turizmit po krijojnë kërkesa të reja për biznes.
Përtej aspektit ekonomik, artikulli ndalet edhe te potenciali turistik i Shqipërisë. Riviera shqiptare, qytetet historike, zonat malore, vendet arkeologjike, kështjellat dhe trashëgimia kulturore përshkruhen si një kombinim që vazhdon të ofrojë përvojën e zbulimit, larg turizmit masiv që karakterizon shumë destinacione të tjera mesdhetare.
Sipas autorit, një nga avantazhet kryesore për turistët italianë mbetet raporti mes cilësisë së përvojës dhe kostove, edhe pse paralajmërohet se në zonat më të kërkuara turistike çmimet kanë filluar të rriten.
Artikulli ndalet edhe te procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një faktor që rrit besimin e investitorëve. Edhe pse anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk ka ende një datë të përcaktuar, drejtimi politik dhe institucional i vendit konsiderohet i qartë.
Një tjetër element që, sipas autorit, e bën Shqipërinë tërheqëse për italianët është afërsia gjeografike dhe kulturore. Marrëdhëniet historike mes dy vendeve, njohja e gjuhës italiane nga shumë shqiptarë dhe prania e bizneseve italiane e bëjnë integrimin më të lehtë për ata që zgjedhin të jetojnë apo të investojnë në Shqipëri.
Megjithatë, libri këshillon që çdo vendim të merret vetëm pas njohjes së drejtpërdrejtë të vendit. Firera sugjeron që të interesuarit të vizitojnë jo vetëm Tiranën, por edhe qytetet bregdetare, zonat turistike në zhvillim dhe qendrat e brendshme, për të kuptuar nga afër tregun, shërbimet, cilësinë e jetës dhe mundësitë reale.
Autori vlerëson se përvoja e Giovanni Fireras si ish-konsull nderi i Shqipërisë në Piemonte i jep librit një perspektivë të veçantë, pasi ai nuk kufizohet vetëm në procedurat administrative, por shpjegon edhe kontekstin ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Në përfundim, artikulli arrin në konkluzionin se Shqipëria është ende në një fazë ku ofron mundësi që në të ardhmen mund të mos jenë më aq të aksesueshme. Për sipërmarrësit, profesionistët, pensionistët apo turistët, vendi paraqitet si një destinacion që meriton të zbulohet tani, përpara se transformimi i tij të përfundojë dhe të ndryshojë përgjithmonë fytyrën e tij.


