Karoline Leavitt largohet nga Shtëpia e Bardhë, Trump përballet me sfidën e zëvendësimit

13 Aug 2026 11:19
Shpërndaje:

Karoline Leavitt është larguar nga posti i sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, duke i dhënë fund një periudhe gjatë së cilës u shndërrua në një prej zërave më të njohur dhe më besnikë të administratës së Donald Trump.

Leavitt, 28 vjeçe, njoftoi të mërkurën se vendimi lidhet me familjen e saj. Pas lindjes së vajzës së dytë më 1 maj, ajo tha se kuptoi se angazhimi i madh që kërkon posti nuk i lejonte t’u kushtonte fëmijëve kohën që dëshironte.

Megjithatë, largimi nga Shtëpia e Bardhë nuk nënkupton shkëputjen nga Trump. Presidenti e cilësoi Leavitt si një nga ndihmëset e tij më të besueshme dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë të shërbejë si këshilltare e jashtme.

Reklamë Ola

Zëvendësimi i saj pritet të jetë një sfidë për administratën. Leavitt kishte krijuar një marrëdhënie të afërt me presidentin dhe njihte mirë stilin e tij të komunikimit. Në konferencat për shtyp ajo shpesh përballej ashpër me gazetarët, duke përdorur një gjuhë të ngjashme me atë të Trump dhe duke fituar popullaritet mes mbështetësve të tij.

Gjatë mandatit të saj pati edhe përplasje të forta me mediat tradicionale. Administrata ndryshoi mënyrën e organizimit të aksesit të gazetarëve në aktivitetet presidenciale, duke u dhënë më shumë hapësirë podkasterëve, transmetuesve dhe figurave të medias konservatore.

Reklamë InterMedika

Një prej konflikteve më të bujshme ishte ai me Associated Press, e cila u përjashtua nga disa aktivitete pasi refuzoi të ndryshonte udhëzimet e saj editoriale për emërtimin e Gjirit të Meksikës pas vendimit të Trump për ta quajtur “Gjiri i Amerikës”.

Sipas CNN, largimi i Leavitt ngre edhe pikëpyetje mbi mënyrën se si Trump do të organizojë komunikimin e Shtëpisë së Bardhë. Presidenti komunikon intensivisht vetë përmes rrjeteve sociale, intervistave dhe daljeve publike, por posti i sekretarit të shtypit mbetet kyç për marrëdhënien e përditshme të administratës me mediat.

Pavarësisht largimit, Leavitt pritet të mbetet aktive në rrethin politik të Trump dhe në lëvizjen MAGA. Tashmë sfida për presidentin është të gjejë një pasardhës që jo vetëm të përfaqësojë administratën përpara gazetarëve, por edhe të ketë besimin dhe afërsinë politike që Leavitt kishte arritur të krijonte.