Një organizatë jofitimprurëse me seli në Berlin ka paraqitur një kallëzim penal kundër syzeve inteligjente të Meta-s, duke pretenduar se pajisjet shkelin rregullat strikte të privatësisë në Gjermani dhe duhet të ndalohen.
Organizata HateAid argumenton se shitja e syzeve inteligjente në Gjermani mund të përbëjë vepër penale, pasi pajisjet u mundësojnë përdoruesve të filmojnë persona të tjerë pa dijeninë ose pëlqimin e tyre.
Kallëzimi është drejtuar kundër Meta-s, Ray-Ban dhe Oakley, markat që kanë bashkëpunuar në zhvillimin e syzeve, si dhe ndaj disa shitësve. Sipas HateAid, tregtimi i pajisjeve bie ndesh me legjislacionin gjerman për telekomunikacionin, shërbimet digjitale dhe mbrojtjen e të dhënave.
Shqetësimet për privatësinë janë shtuar muajt e fundit pas raportimeve për persona të filmuar pa pëlqimin e tyre, përfshirë raste të regjistrimit të pamjeve intime. Pikëpyetje janë ngritur gjithashtu rreth faktit se disa materiale mund të shqyrtohen nga kontraktorë të Meta-s.
Meta i ka kundërshtuar akuzat. Zëdhënësi i kompanisë, Matthew Pollard, tha se syzet inteligjente janë miratuar nga autoriteti rregullator gjerman BNetzA që në vitin 2022 dhe se janë projektuar me masa të posaçme për mbrojtjen e privatësisë.
Ndër këto masa është një dritë LED që ndizet kur syzet regjistrojnë, si dhe teknologji që synon të parandalojë manipulimin ose çaktivizimin e saj.
HateAid argumenton, megjithatë, se syzet inteligjente duhet të jenë lehtësisht të dallueshme dhe se duhet të vendosen kufizime për regjistrimin në ambiente të caktuara, të ngjashme me ato që zbatohen për kamerat e automjeteve apo kamerat trupore.
Ndërkohë, autoritetet evropiane të mbrojtjes së privatësisë kanë porositur një raport të posaçëm mbi syzet inteligjente, i cili pritet të përfundojë gjatë kësaj vere.


