Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale dëshmitë e disa banorëve të Krujës, të cilët përjetuan nga afër zjarrin masiv që përfshiu zonën mbrëmjen e kaluar dhe rrezikoi banesa, biznese dhe jetën e qindra qytetarëve.
Në postimin e tij, Rama publikoi një video të shoqëruar me mesazhin: “Shteti përballë zjarreve me zërin e njerëzve“, ku banorët falënderojnë zjarrfikësit, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, emergjencat civile dhe të gjitha strukturat e angazhuara në operacionin për shuarjen e flakëve.
Një prej banorëve tregoi se kishte humbur shpresën se shtëpia e tij do të shpëtonte nga zjarri.
“Po të mos ishin ata, jo vetëm shtëpia ime, por e gjithë lagjja do të ishte djegur. Ja bëftë Zoti hallall atyre zjarrfikësve, Policisë dhe emergjencës. Mbrëmë këtu u ndje era e shtetit”, u shpreh ai.
Një tjetër banor e përshkroi situatën si dramatike, duke e krahasuar me një skenar apokaliptik.
“Zjarri këtu ishte si të ishte fundi i botës. Por shteti shqiptar ka qenë në gatishmërinë numër një. Puna që është bërë këtu na ka shpëtuar”, tha ai.
Mes dëshmive ishte edhe ajo e një banoreje, e cila tha se ende nuk e beson që banesa e saj i ka shpëtuar flakëve.
“Nuk e besoj akoma që e kam shtëpinë gjallë, sepse këtu ka qenë një tmerr i vërtetë”, u shpreh ajo, duke falënderuar zjarrfikësit, strukturat e emergjencave civile dhe ekipet e helikopterëve që ndërhynë nga ajri.
Banorët vlerësuan gjithashtu punën e Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të emergjencës, ndërsa njëri prej tyre falënderoi edhe ministrin e Brendshëm për insistimin në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.
“Nuk e kam besuar se do ta gjeja banesën në këmbë. Është bërë punë heroike. Janë heronj”, deklaroi ai.
Një tjetër banor theksoi se ndërhyrja e koordinuar e institucioneve shtetërore ishte vendimtare për shmangien e një tragjedie.
“Falë ndërhyrjes së Komisariatit të Krujës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe bazës mbështetëse të helikopterëve, sot jemi gjallë dhe banesa është e paprekur”, tha ai.
Zjarri në malin e Krujës shkaktoi panik gjatë natës, ndërsa flakët iu afruan banesave dhe bizneseve. Banorët u evakuuan nga zonat më të rrezikuara, ndërsa në operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit u angazhuan qindra efektivë, mjete zjarrfikëse, helikopterë dhe dronë monitorimi.


