Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka përshëndetur mbylljen e kapitullit 25 të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, “Shkenca dhe Kërkimi Shkencor”, duke e cilësuar atë një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të vendit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kumbaro u shpreh se mbyllja e këtij kapitulli konfirmon përparimin e Shqipërisë në përafrimin me prioritetet e Zonës Evropiane të Kërkimit (European Research Area – ERA), si dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara në këtë fushë.
Sipas ministres, ky rezultat është arritur falë forcimit të kuadrit ligjor dhe dokumenteve strategjike, rritjes së investimeve publike në kërkimin shkencor dhe infrastrukturën kërkimore, zhvillimit të ekosistemit të inovacionit, si dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve kërkimore, sektorit publik dhe sipërmarrjes.
Kumbaro theksoi se këto reforma kanë kontribuar në përmirësimin e kapaciteteve të Shqipërisë në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, duke e afruar vendin me politikat dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Ministrja vlerësoi gjithashtu punën e stafit të Ministrisë së Arsimit, duke nënvizuar se mbyllja e kapitullit 25 është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të ekipit negociator dhe i reformave të ndërmarra në sektor.
“Falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të ekipit të Ministrisë së Arsimit, këtij procesi iu dha një tjetër rezultat konkret, që pasqyron ritmin me të cilin Shqipëria po ecën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Kumbaro.
Mbyllja e kapitullit “Shkenca dhe Kërkimi Shkencor” përfaqëson një tjetër etapë të rëndësishme në procesin e negociatave të anëtarësimit, ndërsa autoritetet shqiptare synojnë të avancojnë edhe me kapitujt e tjerë, në kuadër të objektivit për përfundimin e negociatave dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.


