Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës vetëm për shkak të qëndrimit të Republikës Serbe, duke vlerësuar rolin e këtij entiteti në ruajtjen e pozicionit të Sarajevës ndaj Kosovës.
Gjatë një vizite në Republikën Serbe të Bosnjës, ku po merr pjesë në aktivitetet përkujtimore për operacionin “Oluja”, Vuçiç tha se Serbia i është mirënjohëse Republikës Serbe për marrëdhëniet e afërta dhe mbështetjen që, sipas tij, i ka dhënë Beogradit në çështje me rëndësi kombëtare.
“Jemi shumë mirënjohës ndaj Republikës Serbe për afërsinë që ka ruajtur me ne, para së gjithash me qytetarët. Kemi arsye t’u jemi mirënjohës atyre. Vetëm falë Republikës Serbe, Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, përndryshe në Sarajevë dhe Mostar mezi do të prisnin ta bënin këtë”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti serb theksoi se pozicioni i Republikës Serbe brenda Bosnjës dhe Hercegovinës ka qenë vendimtar për ruajtjen e qëndrimit të këtij shteti ndaj Kosovës, duke lënë të kuptohet se pa kundërshtimin e këtij entiteti, Bosnja do ta kishte njohur tashmë pavarësinë e Kosovës.
Në të njëjtën deklaratë, Vuçiç foli edhe për çështje që lidhen me politikën e brendshme dhe të kaluarën e Serbisë. Ai tha se gjatë drejtimit të tij nuk ka arrestuar serbë për t’i dorëzuar në Tribunalin e Hagës, pavarësisht kërkesave që, sipas tij, kanë ardhur nga ky institucion.
“Unë as nuk kam arrestuar serbë dhe nuk i kam dorëzuar në Hagë, edhe pse kam pasur kërkesa nga Haga. As nuk kam lejuar që dikush të shkëpusë pjesë të territorit të Serbisë. As nuk kam marrë pjesë në dëbimin e popullit serb”, u shpreh ai.
Vuçiç kritikoi edhe disa figura politike, pa përmendur emra, duke thënë se ata paraqiteshin si nacionalistë të vendosur, por sipas tij ndryshonin qëndrim kur përballeshin me presione ndërkombëtare.
Presidenti serb komentoi gjithashtu përdorimin e termit “serbët e Kroacisë”, duke argumentuar se një përcaktim i tillë nuk është thjesht gjeografik, por synon t’i paraqesë serbët si pjesë të një shteti tjetër.
“Ne jemi ‘serbë të dikujt’, sepse gjoja i përkasim dikujt tjetër. Jo, ne jemi vetëm serbë, por kemi heshtur për dekada ndaj këtyre gjërave”, deklaroi ai.
Në fund, Vuçiç u ndal edhe te situata në Mal të Zi, duke pretenduar se rreth gjysma e popullsisë flet serbisht, por se, sipas tij, gjuha serbe ende nuk gëzon statusin e gjuhës zyrtare në atë vend.


