OKB: Ekzekutimet në Iran janë rritur ndjeshëm, 56 të ekzekutuar që nga marsi

05 Aug 2026 14:23
Shpërndaje:

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka shprehur shqetësim për rritjen e numrit të ekzekutimeve në Iran, duke deklaruar se autoritetet iraniane kanë intensifikuar zbatimin e dënimit me vdekje gjatë muajve të fundit.

Sipas Türk, të paktën 56 persona janë ekzekutuar në Iran me akuza që lidhen me sigurinë kombëtare që nga 19 marsi. Ai theksoi se 27 prej këtyre rasteve lidhen me protestat masive kundër regjimit që shpërthyen në fillim të këtij viti.

Komisioneri i OKB-së u bëri thirrje autoriteteve iraniane të ndalojnë menjëherë të gjitha ekzekutimet dhe të ndërmarrin hapa konkretë drejt heqjes së dënimit me vdekje.

Reklamë Ola

“U bëj thirrje autoriteteve iraniane të ndalojnë të gjitha ekzekutimet dhe të ecin përpara drejt shfuqizimit të dënimit me vdekje”, deklaroi Türk.

Komentet e tij vijnë në një periudhë kur organizata të shumta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut pretendojnë se regjimi iranian ka shtuar goditjet ndaj kundërshtarëve të brendshëm, duke përfituar nga situata e tensionuar rajonale dhe konflikti në Lindjen e Mesme.

Reklamë InterMedika

Sipas këtyre organizatave, autoritetet iraniane kanë përshpejtuar ekzekutimet dhe arrestimet, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te zhvillimet ushtarake dhe diplomatike në rajon.

Në të njëjtën kohë, organizatat joqeveritare dhe ekspertë të OKB-së kanë kritikuar Memorandumin e Mirëkuptimit prej 14 pikash, të nënshkruar më 17 qershor 2026 mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke argumentuar se ai nuk përfshin garanci konkrete për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Sipas tyre, mungesa e angazhimeve në këtë drejtim i ka lënë autoritetet iraniane të veprojnë pa presion ndërkombëtar në raport me situatën e brendshme.

Aktivistët për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se kjo ka krijuar kushte që Teherani të intensifikojë goditjet ndaj kundërshtarëve politikë dhe të shtojë përdorimin e dënimit me vdekje, ndërsa i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar që çështja e të drejtave të njeriut të jetë pjesë e çdo procesi negociues me Iranin.