Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kundërshtive dhe protestave që kanë shoqëruar propozimin e Partisë Socialiste për Reformën Administrativo-Territoriale, duke theksuar se procesi ndodhet në fazën e konsultimit publik dhe se çdo qytetar apo institucion ka të drejtë të shprehë mendimin e tij.
Në një postim në rrjetin social “X”, Rama u shpreh se dokumenti i reformës është në konsultim publik për 60 ditë, periudhë gjatë së cilës çdo palë e interesuar mund të japë opinionet dhe propozimet e saj.
Kryeministri komentoi edhe reagimet e disa anëtarëve të Partisë Socialiste, duke e cilësuar si “akt të turpshëm” djegien e teserave të partisë në një rast, ndërsa tha se disa deputetë socialistë kanë folur pa e kuptuar plotësisht përmbajtjen e reformës.
“Dokumenti i reformës është pikërisht në fazën e konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin”, shkroi Rama.
Sipas tij, edhe kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë kanë detyrimin ligjor të paraqesin me shkrim qëndrimet e tyre, ndërsa protestat paqësore janë të mirëpritura, për sa kohë nuk cenojnë rendin publik apo të drejtat e qytetarëve të tjerë.
Rama hodhi poshtë pretendimet për mungesë debati, duke theksuar se “as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë”.
Ai shtoi se gjatë periudhës së konsultimit do të shpjegohen më gjerësisht arsyet e propozimeve, duke theksuar se reforma është hartuar mbi kritere funksionale dhe administrative, e jo mbi argumente historike apo emocionale.
Në përfundim, kryeministri theksoi se vendimi përfundimtar do të merret nga Kuvendi, pasi të përfundojë procesi i konsultimit publik dhe të shqyrtohen të gjitha propozimet dhe qëndrimet e paraqitura.


