Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ka pezulluar sulmet ushtarake të planifikuara ndaj Iranit, duke thënë se pret arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump deklaroi se Irani dhe disa vende të tjera të rajonit i kanë kërkuar Uashingtonit të mos ndërmarrë sulme, pasi sipas tij janë rënë dakord “konturet e një marrëveshjeje”.
Sipas Trump, marrëveshja do të përfshijë rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit. Ai shtoi se edhe Izraeli mbështet pezullimin e sulmeve, me kusht që marrëveshja të arrihet shpejt.
Njoftimi erdhi pasi mediat amerikane raportuan se SHBA po përgatitej për sulme të reja ndaj objektivave iraniane, përfshirë infrastrukturën energjetike. Ndërkohë, autoritetet amerikane u bënë thirrje qytetarëve të tyre në Lindjen e Mesme të jenë vigjilentë dhe të përgatiten për evakuim në rast të përshkallëzimit të situatës.
Irani nuk e ka konfirmuar ekzistencën e një marrëveshjeje me SHBA-në dhe nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratës së Trump.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, zhvilloi biseda telefonike me homologët e tij nga Pakistani, Arabia Saudite dhe Turqia, ndërsa ministri në detyrë i Mbrojtjes, Majid Ibn al-Reza, deklaroi se Teherani “nuk do të kapet në befasi dhe nuk do të mbetet pasiv”.
Nga ana tjetër, Arabia Saudite bëri thirrje për diplomaci. Sipas mediave shtetërore saudite, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman i tha Trump gjatë një bisede telefonike se dialogu duhet të jetë rruga kryesore për uljen e tensioneve në rajon.


