Zelensky: Rusia përfiton nga konflikti SHBA-Iran dhe po largon vëmendjen nga Ukraina

31 Jul 2026 22:04
Shpërndaje:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është e lidhur ngushtë me konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke argumentuar se Moska përfiton nga zhvendosja e vëmendjes amerikane drejt Lindjes së Mesme.

Në një intervistë për Fox News, Zelensky tha se Rusia i ka furnizuar Iranit dronë dhe se pjesë të prodhuara në Rusi janë identifikuar në dronët e përdorur në sulmet në Lindjen e Mesme.

“Rusia i dha dronë Iranit. Të gjithë e panë se në dronët e shkatërruar kishte komponentë rusë”, u shpreh ai.

Reklamë Ola

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se është “plotësisht i bindur” se Moska i ka siguruar Teheranit edhe imazhe satelitore të bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Sipas Zelenskyt, Rusia është e interesuar që konflikti në rajon të vazhdojë, pasi kjo kufizon mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.

Reklamë InterMedika

“Rusia është shumë e kënaqur që nuk ka një fund të luftës në Lindjen e Mesme, sepse e kupton se, sa kohë SHBA-ja është e përfshirë atje, nuk mund ta ndihmojë Ukrainën në të njëjtin nivel si më parë”, deklaroi ai.

Komentet e Zelenskyt vijnë disa ditë pas vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ku tha se presidenti Donald Trump kishte rënë dakord t’i siguronte Ukrainës licenca për raketat Patriot.

Kievi vijon të kërkojë forcimin e mbrojtjes ajrore për t’u përballur me sulmet e vazhdueshme ruse dhe për të mbrojtur infrastrukturën energjetike gjatë dimrit.