Spanja dërgon ushtrinë në Ceuta pas hyrjes masive të emigrantëve

31 Jul 2026 14:10
Shpërndaje:

Qeveria spanjolle ka dislokuar njësi të Forcave të Armatosura në enklavën e Ceutës, pasi mijëra emigrantë hynë nga Maroku, duke përshkallëzuar krizën në kufirin jugor të Bashkimit Europian.

Sipas mediave spanjolle, ushtria po mbështet Gardën Civile për të garantuar sigurinë në qytetin me rreth 80 mijë banorë, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez pritet të vizitojë Ceutën për t’u takuar me autoritetet lokale dhe për të koordinuar masat për rikthimin e normalitetit.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan qindra emigrantë duke thyer portat kufitare ose duke notuar nga Maroku drejt territorit spanjoll. Sipas policisë, të paktën 19 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të arritur në Ceuta.

Reklamë Ola

Mes emigrantëve është edhe Munaim, një ish-lojtar i futbollit të plazhit që ka përfaqësuar Marokun në arenën ndërkombëtare. Ai tha se ëndrra e tij ka qenë gjithmonë të jetojë në Spanjë dhe të bëhet futbollist profesionist.

“Kam ardhur në Ceuta sepse që fëmijë kam ëndërruar të shkoj në Spanjë. Shpresoj të bëhem futbollist profesionist. E bëj këtë për familjen time. Gjithçka që kërkoj është të luten për mua”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Kriza ka rritur edhe tensionet politike në Europë. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kërkuar pezullimin e Spanjës nga zona Shengen, ndërsa ministri i Brendshëm francez Laurent Nuñez njoftoi vendosjen e kontrolleve në kufirin mes Francës dhe Spanjës.

Edhe Partia Popullore në opozitë në Spanjë i bëri thirrje qeverisë të rikthejë kontrollin efektiv të kufirit dhe të sigurojë kthimin e emigrantëve që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme.

Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Manfred Weber, kërkoi nga kryeministri Sánchez të veprojë “me shpejtësi dhe vendosmëri” për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, politikanë të së djathtës në disa vende europiane paralajmëruan se situata në Ceuta nuk duhet të kthehet në një krizë të ngjashme me atë të emigracionit të vitit 2015. Liderja e partisë AfD në Gjermani, Alice Weidel, bëri thirrje për mbylljen e kufijve, ndërsa Marine Le Pen kërkoi forcimin e kontrolleve kufitare në Francë.