Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka deklaruar se ritmi i rritjes së vizitorëve në sitet kulturore u ngadalësua gjatë muajit qershor, duke e lidhur këtë zhvillim me periudhën e protestave në vend.
Përmes një reagimi publik, Gonxhja tha se turizmi është ndër sektorët që ndjen më shpejt efektet e klimës së pasigurisë dhe destabilitetit.
“Siç kemi paralajmëruar, ekonomia e turizmit është ndër të parat që ndien efektet e klimës së pasigurisë dhe destabilitetit”, u shpreh ministri.
Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria mbetet në një trend pozitiv për sa i përket vizitorëve në sitet kulturore. Gjatë periudhës janar–qershor 2026, këto site u vizituan nga 617 907 persona, ose 89% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Megjithatë, ministri theksoi se ritmi i rritjes u ngadalësua ndjeshëm në qershor. Ndërsa në periudhën janar–maj 2026 u regjistrua një rritje prej 9.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, gjatë qershorit rritja ishte vetëm 4.8% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, duke qenë 52% më e ulët se ritmi i rritjes së muajve të parë të vitit.
“Në një sektor si turizmi, besimi, stabiliteti dhe perceptimi i sigurisë janë faktorë vendimtarë në zgjedhjet e vizitorëve dhe të operatorëve turistikë. Çdo klimë tensioni, frike apo përplasjeje publike rrezikon të dëmtojë imazhin e vendit dhe të ndikojë në ritmin e zhvillimit të turizmit”, deklaroi Gonxhja.
Ai shtoi se mbrojtja e industrisë turistike dhe e imazhit të Shqipërisë si një vend i qetë dhe mikpritës duhet të jetë një përgjegjësi e përbashkët, përtej interesave politike.
Sipas statistikave, parqet arkeologjike kanë tërhequr numrin më të madh të vizitorëve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, me 276 080 vizitorë, të ndjekura nga muzetë me 192 567 vizitorë dhe kalatë e monumentet e kulturës me 149 260 vizitorë.
Pesë sitet kulturore më të vizituara në vend janë Parku Kombëtar i Butrintit me 114 084 vizitorë, Kalaja e Gjirokastrës me 110 156 vizitorë, Parku Arkeologjik i Shkodrës me 84 472 vizitorë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë me 66 116 vizitorë dhe Parku Arkeologjik i Apolonisë me 65 832 vizitorë.


