Administrata e presidentit amerikan Donald Trump do të nisë një partneritet global me më shumë se 20 vende aleate për të përshpejtuar zhvillimin e rrjeteve të sigurta 6G, në një përpjekje për të frenuar ndikimin e Kinës në gjeneratën e ardhshme të telekomunikacionit.
Nisma përfshin vende si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Japonia dhe Shqipëria, ndërsa synon të koordinojë strategjitë kombëtare për teknologjinë 6G, e cila pritet të zëvendësojë rrjetet 5G gjatë viteve 2030.
Sipas planit, vendet pjesëmarrëse do të krijojnë pika kontakti mes qeverive, do të ndajnë burime teknike dhe do të hedhin bazat për vendosjen komerciale të teknologjisë së re.
Nisma mbështet gjithashtu objektivin e presidentit Trump për ta pozicionuar SHBA-në në krye të zhvillimit të teknologjisë 6G dhe për të forcuar bashkëpunimin me aleatët në këtë sektor.
Administrata amerikane e sheh partneritetin si një kundërpeshë ndaj ambicieve të Kinës në telekomunikacion dhe ndikimit global të kompanive si Huawei dhe ZTE. Sipas zyrtarëve amerikanë, koordinimi me vendet aleate është thelbësor për përcaktimin e standardeve ndërkombëtare përpara Konferencës Botërore të Radiokomunikacionit, e cila do të mbahet vitin e ardhshëm në Shangai.
Drejtoresha e Administratës Kombëtare të Telekomunikacionit dhe Informacionit (NTIA), Arielle Roth, deklaroi se teknologjia 6G do të jetë shumë më e avancuar se 5G dhe se udhëheqja amerikane kërkon një qasje të re.
“Duke punuar që tani me partnerë të besuar, do të sigurojmë që rrjetet e gjeneratës së ardhshme të pasqyrojnë interesat tona të përbashkëta të sigurisë, të forcojnë konkurrueshmërinë dhe të nxisin inovacionin”, u shpreh ajo.
Dokumenti i partneritetit thekson angazhimin për zhvillimin e një sistemi global komunikimi të hapur, të sigurt, të qëndrueshëm, të mbështetur nga inteligjenca artificiale dhe me zinxhirë furnizimi më të fortë.
Përveç Shqipërisë, nismës i janë bashkuar edhe Australia, Kanadaja, Franca, Italia, Greqia, Rumania, Suedia, Koreja e Jugut, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Estonia, Letonia, Lituania, Çekia, Filipinet, Paraguai, Panamaja, Hondurasi, Kosta Rika, Japonia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Zyrtarët amerikanë pritet ta prezantojnë zyrtarisht iniciativën këtë javë në një aktivitet të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).


