Vatra Michigan mbështet investimet që nxisin zhvillimin dhe forcojnë lidhjet shqiptaro-amerikane
MICHIGAN, SHBA – Federata Pan-Shqiptare “Vatra” në Michigan ka publikuar një deklaratë ku riafirmon misionin historik të organizatës në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare dhe në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në deklaratë kujtohet se “Vatra”, e themeluar në Boston në vitin 1912 nga figura të shquara të Rilindjes Kombëtare si Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako dhe Paskal Aleksi, ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë, mbështetjen e arsimit kombëtar dhe përfaqësimin e interesave shqiptare në institucionet amerikane.
Sipas Vatrës Michigan, kjo trashëgimi historike mbetet një përgjegjësi edhe sot, duke e orientuar organizatën drejt forcimit të mëtejshëm të lidhjeve shqiptaro-amerikane dhe mbështetjes së zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Në reagimin e saj, Vatra Michigan shprehet se ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe mirëpret çdo nismë që kontribuon në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
“Shqipëria ka nevojë për më shumë investime, më shumë vende pune dhe më shumë besim nga partnerët strategjikë”, thuhet në deklaratë.
Organizata thekson se mbështet çdo investim serioz dhe të ligjshëm amerikan, evropian apo nga vende të tjera, që sjell kapital, teknologji dhe ekspertizë në Shqipëri dhe në trevat shqiptare.
Në këtë kuadër, Vatra Michigan e konsideron si një sinjal pozitiv faktin që investitorë dhe sipërmarrës të njohur amerikanë po e shohin Shqipërinë si një destinacion me potencial për investime. Gjithashtu, në deklaratë shprehet mbështetje për nismat që synojnë rritjen e prosperitetit dhe sigurisë së vendit.
Në përfundim, Vatra Michigan rithekson se misioni i saj mbetet i pandryshuar që prej themelimit: mbrojtja e interesit kombëtar shqiptar, forcimi i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe mbështetja e çdo iniciative që sjell zhvillim ekonomik, mundësi për të rinjtë dhe mirëqenie për shqiptarët kudo që jetojnë.
“Vatra do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë që afron investime, krijon mundësi për brezat e rinj dhe forcon prosperitetin e shqiptarëve kudo që jetojnëw,” thuhet në deklaratën e Vatrës Michigan.







