Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se do të depozitojë nesër nismën për ndryshimet ligjore që lidhen me kompetencat e gjyqësorit, pas vendimit për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama sqaroi lidhur me konkluzionet e mbledhjes së grupit parlamentar gjatë kësaj javë pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ballukut.
“Si zakonisht, fillon qarkullon në ajër një tymnajë interpretimesh nga më të ndryshmet. Edhe një herë tjetër, nuk është çështja tek personi, çështja është tek parimi dhe në këtë rast nuk është tek parimi abstrakt, por është tek parimi i ndarjes së panegociueshme të pushteteve kushtetuese”, u shpreh Rama.
Sipas tij, “një vendim gjyqësor për pezullimin nga detyrat e një ministri, në kuadër të një mase sigurimi penal, ka nxjerrë në pah një boshllëk”.
“Është një boshllëk që ekziston sa në koka prokurorësh e gjykatësish dhe, edhe në legjislacionin tonë, përderisa në këtë vend pa kulturë të konsoliduar demokratike, dhe me një drejtësi të pavarur, në moshë shumë të mitur, nuk mjafton fryma e Kushtetutës që është shumë e qartë, po duhet edhe gërma e ligjit, madje gërmë për gërmë për gërmë, qoftë edhe për gjëra elementare si kjo”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se “Gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim”.
“Këtë nuk e diskuton askush dhe askush nuk është mbi ligjin e këtu biem dakord të gjithë, të paktën të gjithë me fjalë, por unë bie dakord edhe me vepra. Por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet. Pra, faktikisht nëse ti thua që ‘unë pezulloj një minister’, ‘unë pezulloj Presidentin e Republikës’, ‘unë pezulloj Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit’ dhe ku di unë disa të tjerë që mbulojnë funksione të padelegueshme, faktikisht, ti prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin, sepse nuk është pezulluar thjesht personi, siç mund të ndodhë me një drejtor, punën e të cilit e bën dikush tjetër, por është pezulluar funksioni”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, sipas tij, “pikërisht për shkak të funksionit, emërimi apo shkarkimi i ministrit, nuk është gjëkundi kurrë në asnjë vend të botës”. “Nuk e ka nxjerrë dot kush një rast, kur në një vend të botës, kjo kompetencë është e një prokurori dhe një gjykatësi në një seancë paraprake, drejtësia duhet të jetë e pavarur”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit”.
“Sot ajo është e pavarur dhe duhet të mbetet përgjithmonë e pavarur, por pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat ndër të tjera kanë edhe të drejtën dhe detyrën të emërojnë apo të shkarkojnë ministra dhe kjo e drejtë dhe detyrë, nuk ndahet me gjyqësorin, nuk i takon gjyqësorit dhe nuk mund të lejohet që ta marrë gjyqësori”, u shpreh Kryeministri.
Rama theksoi se të hënën në cilësinë e deputetit do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë.
“Gjithsesi, tanimë kur as Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për rastin konkret, ne do të kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën në cilësinë e deputetit, unë, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tre firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do t’i paraqitet fillimisht, Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij të fillim javës, ditën e hënë në mëngjes, dhe do të jetë transparente edhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias”, shtoi ai.


