Zelensky kundër zgjedhjeve gjatë luftës: Do të ishin “cunam” që do të përçante Ukrainën

23 Aug 2026 14:25
Shpërndaje:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve në Ukrainë ndërsa lufta me Rusinë vazhdon, duke paralajmëruar se një proces elektoral në kushtet aktuale mund të shkaktojë përçarje të thella brenda vendit.

“Zgjedhjet tani janë një cunam për vendin që do ta përçajë Ukrainën”, deklaroi Zelensky, ndërsa debati mbi rikthimin e procesit zgjedhor është intensifikuar.

Qëndrimi i presidentit ukrainas vjen pas thirrjeve të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, për mbajtjen e zgjedhjeve edhe gjatë luftës. Fedorov, i cili u shkarkua nga detyra në korrik, ka argumentuar se vendi duhet t’i rikthehet procesit demokratik dhe të adresojë njëkohësisht problemet që lidhen me qeverisjen dhe korrupsionin.

Reklamë Ola

Zelensky, nga ana tjetër, vlerëson se zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet aktuale do të përbënte rrezik serioz për unitetin e vendit. Sipas tij, lufta dhe kufizimet që burojnë prej saj nuk krijojnë kushtet e nevojshme për zhvillimin normal të një procesi elektoral.

Çështja e zgjedhjeve është kthyer në një temë gjithnjë e më të debatueshme në Ukrainë, teksa lufta vazhdon dhe vendi prej vitesh funksionon nën regjimin e ligjit ushtarak.

Reklamë InterMedika

Në Ukrainë, proceset zgjedhore janë pezulluar gjatë kësaj periudhe. Parlamenti ka miratuar vazhdimisht zgjatjen e ligjit ushtarak dhe të mobilizimit, me afatin aktual që shkon deri më 31 tetor 2026.

Për Zelenskyn, prioritet në këtë fazë mbetet ruajtja e unitetit të vendit përballë Rusisë, ndërsa rikthimi te zgjedhjet duhet të bëhet në kushte që garantojnë një proces të plotë dhe funksional demokratik.